Blushi: Pastrimi i parave me Klubin Sportiv, skemë e re e Veliajt

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj vendimit të Erion Veliajt për transformimin e Klubit Sportiv Tirana.

Ai e cilëson këtë akt si kriminal dhe një “agresion taleban” ndaj historisë së kryeqytetit dhe komunitetit bardhë e blu.

Sipas Blushit, Veliaj ka shkatërruar identitetin e Tiranës dhe tashmë ka kaluar një tjetër vijë të kuqe, duke asgjësuar 104 vite histori të suksesshme të klubit. Blushi e akuzon këtë veprim si pjesë e një skeme për pastrim parash dhe kërkon largimin e menjëhershëm të Veliajt nga detyra, duke e quajtur atë “armikun më të egër të kryeqytetit.”

POSTIMI I PLOTË:

Vendimi kriminal i Erion Veliaj për të asgjesuar Klubin Sportiv Tirana duke e kthyer në një Qendër Sportive të drejtuar nga një Bord të korruptuar Drejtorësh është një agresion i pastër talebanizmi ndaj historisë së kryeqytetit, familjeve autoktone, brezave të tërë të lojtarëve e trajnerëve legjendarë, të afërmve të tyre dhe ndaj të gjithë tifozerisë së mrekullueshme bardhë e blu.
Pasi i shkatërroi Tiranës identitetin, i shembi çdo monument kulture, i zhduku nga faqja e dheut Teatrin, kinematë, parqet dhe çdo simbol krenarie, sot Erion Veliaj kaloi edhe një tjetër vijë të kuqe duke asgjesuar me bedelat e tij në Këshillin Bashkiak 104 vite histori suksesi e arritjesh në futboll të Klubit Sportiv Tirana.
Ky akt lufte ndaj të gjithë sportdashësve, trashëgimisë dhe vlerave më të larta sportive të Tiranës kërkon një përgjigje pa mëshirë, siç e meriton armiku më i egër i kryeqytetit dhe vlerave të tij, Erion Veliaj.
Të kthesh 104 vite futboll elitar në një biznes të pështirë korruptiv dhe kriminal për pastrim parash me borde drejtorësh 5D, si me inceneratorët, është të djegësh përgjithmonë historinë e ekipit që i ka dhënë krenari jo vetëm Tiranës por mbarë Shqipërisë.
Çdo ditë e Erion Velisë në detyrë do të thotë një vjedhje skizofrenike dhe një krim më shumë.
E vetmja alternativë ngelet nxjerrja e tij prej zverku nga zyra dhe arrestimi një orë e më parë nga qytetarët.
Vendi i kësaj vemje të pështirë është vetëm në koshin plehrave dhe prej aty në qeli!