Dëmtimi qesharak, futbollisti thuajse humbi gishtin duke larë pjatat

Dëmtimet në fushën e lojës janë normale për futbollistët. Por ka edhe dëmtime të tjera, më të pazakonta, që ndodhin jashtë saj, në situata që nuk kanë lidhje me këtë sport.

Ajo që i ka ndodhur futbollistit të Ipsuiç, Aksel Tuanzebe, hyn pikërisht të kategoria e dëmtimeve të çuditshme.

Mbrojtësi thuajse ka humbur gishtin e madh të dorës pas një incidenti në kuzhinën e shtëpisë së tij, gjë që e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale dhe të mungonte në ndeshjen e fundjavës për klubin e Premier Ligës.

Trajneri Kiran MekKena konfirmoi se lojtari kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe mediat angleze kanë zbuluar prapaskenat e kësaj ngjarje.

“Daily Mail” bën të ditur se lojtari po lante pjatat në shtëpi kur është thyer një gotë dhe ai ka pësuar një të çarë të madhe nga copat e qelqit.

Për shkak të natyrës së këtij dëmtimi, Tuanzebe u desh t’i nënshtrohej një ndërhyrje të vogël kirurgjikale për të shpëtuar gishtin e madh të dorës, pasi rrezikohej amputimi i tij.