Përgatitjet e Kombëtares, Asllani dhe Uzuni kryejnë stërvitje të diferencuar

Kombëtarja shqiptare ka kryer pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Departamenti i Komunikimi në FSHF bën me dije se me grupin janë bashkuar edhe Nedim Bajrami, Arbër Hoxha e Qazim Laçi, ndërsa Kristjan Asllani e Myrto Uzuni kanë probleme muskulore dhe u stërvitën të diferencuar.

Të dy lojtarët janë në monitorimin e stafit mjekësor të Kombëtares dhe pritet që nesër të bashkohen me grupin.

Përsa i përket pjesës tjetër të grupit, të gjithë lojtarët u stërvitën normalisht dhe morën ngarkesën e plotë.

Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”.