Mundja kuqezi shkëlqen në Kampionatin Ballkanik në Maqedoninë e Veriut

Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Ballkanik të Mundjes, aktivitet që u mbajt në Maqedoninë e Veriut.

Kombëtarja kuqezi shënoi rezultate shumë të mira në këtë kompeticion.

Federata Shqiptare e Mundjes njofton se Andi Muça, Ardit Zeneli dhe Albi Peposhi bënë paraqitje të shkëlqyera, duke zënë vende të para.

Xhord Gjoni dhe Klevis Preçi u renditën vendin e tretë, ndërsa Klevis Koçeku u klasifikua i pesti.

Paraqitje të shkëlqyera u shënuan edhe në radhët e vajzave, teksa Erglena Domi u shpall kampione për moshat U-15, ndërsa Kleona Shabani u rendit në vendin e tretë për kategorinë U-20.

Theksojmë që ky ka qenë një vit me rezultate të jashtëzakonshme për sportin e mundjes.

Përveç medaljeve në kompeticione të ndryshme ndërkombëtare, për herë të parë në historinë e saj Shqipëria fitoi medalje olimpike, teksa Chermen Valiev dhe Islam Dudaev morën bronz në “Paris 2024”.