Kryenin vjedhje në banesa/ Policia arreston dy grabitësit, sekuestrohen para e sende me vlerë

Dy persona kanë rënë në pranga nga blutë e Lushnjës.

Sipas një komunikate për shtyp, policia sqaron se përgjatë 2 muajve të fundit janë kryer 3 vjedhje të cilat janë zbardhur dhe nga hetimet ka rezultuar se autorë janë 2 të arrestuarit.

Teksa gjatë operacionit policia ka sekuestruar sende me vlerë dhe para.

Njoftimi i policisë:

Zbardhen 3 vjedhje të kryera prej tyre, gjatë 2 muajve të fundit. Sekuestrohen sende me vlerë dhe shuma parash të vjedhura në banesa.

Komisariati i Policisë Lushnjë, pas kallëzimeve të marra nga disa qytetarë, se në banesat e tyre ishin vjedhur sende me vlerë dhe para, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë operacionit “Steal”, Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasit: L. Xh., 30 vjeç, dhe E. Sh., 25 vjeç, të dy banues në fshatin Fiershegan, Lushnjë.

Gjatë dy muajve të fundit, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Lushnjë. 3 nga këto vjedhje janë zbardhur, ndërkohë po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të kryera prej tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.