Xhaferri: Mediat 'ndërkombëtare' të Tiranës që financohen nga Inceneratorët etiketojnë si kamikazë të rinjtë e PD që protestojnë kundër Qeverisë

Nga Besart Xhaferri

Në një kohë që protesta evropiane e qytetarëve shqiptarë vodhi jehonën e mediave ndërkombëtare, një media në Tiranë që drejtohet nga italiani Carlo Bollino i vetëshpallur nip i Begejave, ERTV dhe Inceneratorëve të dirigjuara nga Endri Fuga, hedhin baltë në mënyrë të turpshme ndaj të rinjve shqiptar që ju përgjigjen thirrjes për mosbindje civile të hënën.

Këto media që heshtin kur Erion Veliaj i quan zdromsa të rinjtë shqiptar apo kur Rama i quan jashteqitje të kombit dhe i detyron të vetëposhtërohen në këmbim të promovimit, i cilësojnë të rinjtë e FRPD si guerrilsa dhe kamikazë që kanë djegur selinë Rilindjes dhe Kryeministrinë. 

E vërteta është që gjimnazistët, studentët dhe të rinjtë e FRPD ishin në ballë të protestës pa maska por me fytyrën e tyre plot dinjitet dhe ishin të parët që me pankartën “Pakti i Vdekjes Universitetit”  zbarkuan në sheshin para Kryeministrisë dhe u kërkuan protestuesëve të mos prekin asnjë makinë apo sipërmarrje private në Tiranë.

Mediat që heshtin për skuadrat e vrasësve që mbledhin vota për Edi Ramën, ta ndalin urgjentisht linçimin e të rinjve shqiptarë.

Të rinjtë kanë vendosur të bojkotojnë eksodin dhe do jenë në vijën e parë të protestave dhe mosbindjes civile deri sa qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira të jenë fakt!