Flick kërkon një mbrojtës të djathtë, Barça e ‘piketon’ te Lille

Hansi Flick, trajner i Barcelonës, shprehet se skuadra e tij ka nevojë për t’u përforcuar për shkak të problemeve me dëmtimet, më konkretisht, gjermani i “blaugranave” e bën të qartë se i duhet një mbrojtës i djathtë.

Francezi Jules Koundé është titullar në këtë rol, me lojtarin e akademisë, Hector Fort, si zëvendësues, por trajneri gjerman kërkon të jetë i mbuluar plotësisht pas largimit të portugezit Joao Cancelo .

Gazeta “Sport” thekson se trajneri ka besim te Koundé, por në verë do të donte ta “blindonte” atë pozicion dhe në tavolinë është një emër: portugezi Tiago Santos, nga Lille.

Tiago Santos iu bashkua skuadrës franceze nga Estorili për 6.5 milionë euro dhe ka fituar shumë vlera, “por është ende brenda parametrave që klubi “Blaugrana” mund të paguajë”.

I njëjti burim thotë se skautët e Barçës kanë qenë të pranishëm në disa ndeshje në Lille dhe ka një detaj më shumë: ai përfaqësohet nga Jorge Mendes, menaxher i njohur, me të cilin Barcelona punon lehtësisht. Megjithatë, me disa klube tashmë të interesuara, lufta për Tiago Santos në verë mund të bëhet më e vështirë.