Interpol do të rihapë çështjet e vrasjeve të pazbardhura të 46 grave

Policia në gjashtë vende evropiane po punon me Interpolin për të rihapur çështjen e vrasjeve të pazbardhura ose vdekjes së 46 grave në rrethana të dyshimta, në përpjekje për të identifikuar eshtrat e tyre, njoftoi sot agjencia botërore e policisë.

“Ne duam t’u japim përgjigje familjeve dhe drejtësi për viktimat”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock.

Nisma, e koduar Operacioni Identify Me, është në thelb zgjatja e nismës së vitit 2023, në të cilën Belgjika, Holanda dhe Gjermania morën pjesë me përfshirjen, këtë herë, të Francës, Italisë dhe Spanjës.

Faza e parë u përpoq të hidhte dritë mbi identitetin dhe fatin e 22 grave, trupat e të cilëve u gjetën gjatë viteve.

Kjo përpjekje mblodhi 1800 informacione nga publiku. Kjo bëri të mundur, për shembull, identifikimin e një gruaje britanike të quajtur Rita Roberts nga një tatuazh në trupin e saj, 31 vjet pasi u gjet në Belgjikë.

Siç tha Stock, ndihma e publikut ishte vendimtare. “Nuk mund ta bëjmë vetëm”, komentoi ai.

Në hetimin e ri, i cili përfshin 46 raste, forcat e policisë do të kombinojnë metodat analitike dhe mjeko-ligjore, si ekzaminimi i materialit gjenetik dhe rindërtimi i fytyrës.

Interpoli ka publikuar në faqen e tij të internetit fragmente të të ashtuquajturit “black notice” për këto raste duke kërkuar nga publiku informacione për këto gra, trupat e të cilëve janë të paidentifikuara.

Këto mund të jenë detaje biometrike për një përshkrim të trupit ose veshjeve të viktimës.