Sekuestrohen 36 kg kokainë e 70 mijë euro në shtëpinë e një shqiptari në Bolonja

Në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndoshta për shkak të ndonjë substance të marrë, një i ri shqiptar është ndaluar nga policia italiane gjatë mesditës së djeshme.

Por para se të ndalohej, sjelljet e tij në mes të rrugës ‘Cavaliere Ducati’ në Bolonja, ishin vënë nga drejtuesi lokal i policisë, Ettore Bramato, i cili kishte lajmëruar kolegët e tij.

Një patrullë policie që ndodhej afër, ka mbërritur shpejt dhe kishte tentuar që të vendoste nën kontroll shqiptarin, i cili dukshëm në gjendje jashtë kontrollit, kishte vazhduar duke thënë fjalë pa kuptim për dy italianët.

Në këtë moment, shqiptari 26 vjeçar, i kishte drejtuar policët drejt një apartamenti në pallatin përballë rrugës. Gjatë një kontrolli të thjeshtë, policia aty kishte gjetur një çantë të mbushur plot me euro që në fund rezultuan 70 mijë të tilla.

Por jo çdo gjë kishte mbaruar me kaq.

Në vendin e ngjarjes kishin mbërritur dhe patrulla të tjera policie, të cilët kanë ushtruar një kontroll më të imët të banesës ku i kishte drejtuar shqiptari.

E brenda saj policia ka gjetur edhe 36 kilogramë kokainë, e për këtë arsye, është dashur që shqiptari të ndalohej.

Por ai ishte jashtë kontrollit dhe për këtë arsye, është kërkuar ndërhyrja e autoambulancës.

Mjekët janë përpjekur që të vendosin nën kontroll shqiptarin, duke i injektuar qetësues dhe dërguar në spital.