VIDEO/ Denoncimi i Edi Palokës, deputeti i PS-së paraqitet në SPAK

Deputeti Ergys Çyrbja po merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Burime jo zyrtare bëjnë me dije ligjvënësi socialist po pyetet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e 2021. Paloka e akuzonte për shpërdorim detyre në kohën kur drejtonte hipotekën e durrësit.

Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK deputetin aktual për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.  

Në të njëjtën kohë, Paloka pretendoi se edhe javët e fundit  të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë çertifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.

Deputeti demokrat tha në atë kohë në një deklaratë për mediat, se në SPAK janë depozituar kallëzimet penale për drejtuesit e institucioneve vendore në Durrës që janë përfshirë në blerjen e votave, si dhe një seri shtetasish që duke shpërndarë para apo përmes kërcënimeve synuan të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.