Tetë klubet angleze të cilat përkrahën Premier League në betejën ligjore ndaj Man Cityt

 

Gjatë muajit qershor u raportua se City kishte nisur një veprim ligjor të paprecedentë ndaj Ligës Premier, në një përpjekje për të ndaluar rregullat e APT-së të cilat u sollën në vitin 2021.

Këto rregulla ishin vendosur pas marrjes në pronësi të Newcastle Unitedit nga pronarët arab dhe ishin të dizajnuara për të mbajtur ‘gjallë’ shpirtin garues të Ligës Premier dhe të ndalojnë klubet që të fryjnë marrëveshjet tregtare me bizneset e lidhura me pronarët e tyre.

Ekipet kundërshtare si Arsenal, Manchester United dhe Liverpool që të gjitha u rreshtuan në përkrahje të Ligës Premier, njësoj siç kanë bërë edhe West Ham, Brentford, Bournemouth, Fulham dhe Wolves.

Por tashmë paneli vlerësoi se këto rregullore shkelin parimin e konkurrencës së lirë dhe i ka shpallur të jashtëligjshme, duke i hapur rrugë klubeve si City që janë në pronësi të Emirateve të Bashkuara Arabe, që të bëjnë marrëveshje shumë fitimprurëse me kompani nga ky shtet.

Një nga argumentet në favor të Cityt ishte se ndërkohë që ndaloheshin marrëveshje të tilla sponsorizimi, klubeve u lejohej të merrnin shuma marramendëse hua nga pronarët e tyre.

Kjo mund të ndryshojë në mënyrë të dukshme situatën në Premier Ligë, pasi City apo Njukasëlli, do të kenë më shumë financa në dispozicion pasi nuk mund të ndalen që të bëjnë marrëveshje të tilla me kompani nga vende që kanë kontrollin e këtyre klubeve.