Djali 5-ditësh humbi jetën në maternitet, flet babai: Mjekja na tha është shumë mirë, na dha fletëdaljen

Pak ditë pas vdekjes së një foshnje 5-ditëshe në maternitetin e Vlorës, familjarët kërkojnë drejtësi.

Babai i fëmijës Neritan Halilaj tregon ekskluzivisht ngjarjen e rëndë për gazetarin Enrik Mehmeti, teksa nuk mundet t’i mbajë lotët.

Trauma për dy prindërit e rinj është ende e dukshme dhe Neritani i ka ende të freskëta në memorie momentet kur mori lajmin e hidhur dhe kërkon përgjigjet e pyetjeve të tij. Sipas Halilajt djali ka qenë shumë mirë.

Ka qëndruar 4 ditë në spital për shkak se i kishin dalë disa shenja si puçrra në trup dhe do merrte mjekimin për to. Ditën e pestë do e nxirrnin madje kanë edhe fletë-dalje nga spitali. Por nuk kanë mundur ta nxjerrin të gjallë prej andej. Ai tregon momentet më të vështira të jetës së tij që kaloi.
“Arsyen nuk e di, e di doktoresha pse”,
thotë babai.

Halilaj tregon se e ka lajmëruar bashkëshortja e cila ka parë djalin e pajetë rrethuar nga doktorët. Ka shkuar në spital teksa kur ka parë djalin pajetë i ka rënë të fikët.

Kur është përmendur Halilaj thotë se ka nisur të kërkojë shpjegime, por askush si ka thënë asgjë. Sipas tij, fajtore është mjekja që i ka dhënë mjekim të gabuar ose antibiotikë.