Kundërshtari i Shqipërisë/ Çekia ndryshon listën prej dëmtimeve

Çekia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në ndeshjet e tetori në Ligën e Kombeve, me sfidën mes dy skuadrave të programuar për t’u luajtur këtë të premte në Pragë. Përfaqësuesja e drejtuar nga Ivan Hashek, po përballet me një krizë dëmtimesh, që ka lënë jashtë disa emra të njohur.

Sot, është bërë e ditur se grumbullimit nuk do t’i bashkoheshin tre lojtarë të ftuar në listën e parë nga trajneri Hashek: Matej Rynesh, Jaroslav Zelenji dhe David Zima. Në vend të tyre janë ftuar Jan Boril, Milan Havel, Robin Hranaç dhe Ondrej Zmrzli.

“Ne bëmë të ditur që të premten që do të shtonim një emër në ekip. Për fat të keq, për shkak të situatës shëndetësore, tre lojtarë dolën jashtë listës, ndaj menduam të bënim ndryshime të tjera para se të fillonte grumbullimi”, shpjegoi sot para mediave menaxheri i skuadrës. Tomash Hybshman.

Në këtë mënyrë, Çekia do të ketë në dispozicion ndaj Shqipërisë 24 nga 25 lojtarët e grumbulluar aktualisht, pasi Ladislav Krejçí është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.