Vdes Johan Neeskens/ Legjenda e Holandës, Ajaxit dhe ikonë e ‘futbollit total’

Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Johan Neeskens, ikona e Ajax-it dhe Holandës së ‘futbollit total’.

Federata Holandeze KNVB bëri të ditur lajmin: "Me pikëllim të madh KNVB mësoi për vdekjen e papritur të Johan Neeskens. Johan ishte një nga më të mëdhenjtë tanë. Do të na mungojë pa masë.

Johani ishte në Algjeri për projektin e KNVB-së WorldCoaches. Fjalët na mungojnë për këtë humbje të madhe dhe të papritur. Mendimet tona shkojnë te gruaja e tij, Marlis, fëmijët e tij, familja dhe miqtë e tij. Bota jo vetëm që i thotë lamtumirë një të talentuari sportist, por mbi të gjitha për një qenie njerëzore të përkushtuar, të pasionuar dhe të mrekullueshëm.

Si lojtar, Johan Neeskens ishte aktiv me Ajax, Barcelonë dhe me klube në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e mbylli karrierën e tij në Zvicër, ku jetoi pjesën më të madhe të vitit deri më sot. Gjithashtu si trajner bëri një turne në botë: Zvicër, Australi, Spanjë, Holandë, Turqi dhe në Afrikën e Jugut.

Bëri 49 paraqitje për kombëtaren holandeze. Në mesfushë ai ishte një forcë e vërtetë lëvizëse. Nuk u dorëzua kurrë, mbuloi të gjithë fushën. Shënoi rregullisht në Amsterdam, Barcelonë, Nju Jork dhe në pjesën tjetër të botës”.