SYRI TV/ Vlora e përmbytur qeveria miliona për strategjikët, fokusi i qeverisë 'klientët e Edi Ramës'

Qindra banesa e biznese në Vlorë pësuan dëme kolosale nga përmbyttet e ditëve të fundit, për faj të mungesës së kanalizimeve dhe mosfunkisonimit të hidrovorëve. Por ndërsa sistemi i kanalizimeve në Vlorë shkaktoj dëme për buxhetin e familjeve, qeveria e Edi Ramës ka akorduar 20 milionë euro të tjera për funizimin me ujë të Strategjikëve. Në vend të investimeve për sistemimin e rrjetit në Vlorë, qeveria ka parë si prioritet ngritjen e sistemit për zonën e investimeve strategjike.

SYRI TV

Në një kohë kur mijëra familje e biznese në Vlorë u përmbytën nga shiu i një dite të vetme për shkak të mungesës së kanalizimeve, qeveria vijon të alokojë miliona euro për ujësjellësin e investitorëve strategjikë në zonën bregdetare të qytetit jugor.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, AKUM, ka shpallur këtë të hënë tenderin për “Furnizimi me ujë të zonave bregdetare, Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, Faza e III”.

Institucioni qeveritar ka vendosur të shpenzojë për këtë procedurë 850 milionë lekë të reja ose rreth 8.5 milionë euro.

Me këtë investim, qeveria, deri më tani, ka vendosur të shpenzojë rreth 20 milionë euro për t’u çuar strategjikëve ujin në derën e shtëpisë.

Në janar të këtij viti, Agjencia e Ujësjellës-Kanalizimeve mbylli tenderin për fazën e parë të ndërtimit të ujësjellësit për investitorët strategjikë. Ai tender kishte fond limit 7.5 milionë euro dhe u fitua nga shoqëria “Gjikuria”, një prej kompanive që ka përfituar ndjeshëm nga vendimet për statusin e investitorit strategjik në zonën e bregdetit.

Në korrik 2024, AKUM shpalli tenderin për fazën e dytë të ujësjellësit të investitorëve strategjikë, në vlerë 3.6 milionë euro.

Ende pa nisur zbatimi i fazës së dytë të projektit, qeveria, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve shpalli tashmë edhe fazën e tretë, e cila do të kushtojë më shumë se dy të mëparshmet, plot 8.5 milionë euro.

Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shfaq në mes të Korrikut të këtij viti në zonën e bregut, nga ku deklaroi se “…nga Dukati do të investojmë të dërgojmë ujin në Palasë, Dhërmi, Gjilekë, Kondraq etj. Të gjithë pjesën pra të konsideruar si një nga zonat zhvillimore të turizmit në jug…”.

Por, ndërkohë që qeveria tregohet shumë bujare me investitorët strategjikë, banorët e Vlorës duket se e kanë harruar dorën e shtetit. Fundjavën e kaluar, disa orë shi i shndërruan rrugët e qytetit në lumenj urbanë, ku nuk mund të lëvizej as në këmbë dhe as me automjete të larta.

Banesa e biznese në shumë lagje të Vlorës u përmbytën nga uji, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u detyrua të pranojë para medias përgjegjësinë e institucioneve për këtë situatë të rëndë, por, gjithësesi, duke e larguar fajin nga Bashkia e duke e zhvendosur tek legalizimet.

Megjithatë, shiu i një dite të vetme tregoi se fokusi i investimeve qeveritare në Vlorë nuk është tek banorët, por tek investitorët strategjikë, të cilët opozita i konsideron si “klientë të kryeministrit Edi Rama”.