Shënoi tripletë kundër Alaves, Lewandowski: Kemi bërë një punë të madhe, jemi një grup shumë i mirë

Robert Lewandowski ka qenë frymëzimi i Barcelonës në fitoren 3-0 në Vitoria kundër Alaves. Polaku ka qenë autori i tre golave të katalanasve, të cilët vazhdojnë të kryesojnë të qetë në La Liga, me tri pikë më shumë sesa Reali i Madridit. Leva ka folur pas takimit për mikrofonët e “Movistar+”, duke treguar për ecurinë e tij në këtë sezon, ku numëron 10 gola në La Liga, në krye të golashënuesve. 

“Nuk ka ndonjë sekret të veçantë në ecurinë time veç punës. E vërteta është se tani marr më shumë topa dhe kështu për mua është më e lehtë që të shënoj. Jam i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e bërë. Kur shënon tre gola që në pjesën e parë, më pas mund të kontrollosh gjithçka pa probleme. Tani është radha e kombëtares”, tha ai.

 “Kemi bërë një punë të madhe gjatë fazës përgatitore. Kësaj i shtohet dhe cilësia e madhe që kemi në skuadër, jemi një grup shumë i mirë. Gjithsesi, nuk i kemi thënë të gjitha. Mund të luajmë më mirë dhe të përmirësojmë disa aspekte ku kemi shfaqur dobësi”.

 “Në karrierën time kam luajtur shumë ndeshje në pak ditë. Kam luajtur duke pasur vetëm 2 ose 3 ditë pushim. Shpresoj që gjatë ndalesës së kampionatit të rikuperojmë ndonjë nga lojtarët e dëmtuar”, tha polaku.