‘Do të nisim një epokë të re të artë’, Trump kthehet në vendin ku desh u vra: Lufta botërore afër

Donald Trump kthehet në Butler të Pensilvanisë, ku desh humbi jetën nga atentati me armë zjarri. 

Kandidati republikan për president e vazhdoi fjalimin e tij aty ku e la, 3 muaj më parë, pasi Thomas Crooks qëlloi në drejtim të tij duke e lënduar në vesh.

“Lëvizja jonë është për të kthyer një Amerikë Madhështore që i përket këtij vendi dhe pas një muaji do të hapim një epokë të re të artë”, deklaroi Trump duke shtuar se kërkon një fitore aq të madhe sa që sipas tij, nuk mund ta ia vjedhin.

Ai sulmoi rivalen demokrate, Kamala Harris, gjithashtu dhe presidentin Joe Biden, duke i konsideruar të paaftë për të kryer detyrat, ndërsa nuk ngurroi të premtonte se do të vendosë paqen në botë.

 “Do ta mbyll luftën në Ukrainë. Do t’i jap fund kaosit në Lindjen e Mesme dhe do të parandaloj Luftën e Tretë Botërore, këtë jua premtoj. Nuk do të kemi një Luftë të Tretë Botërore dhe tani e shihni se sa afër jemi për ta pasur një të tillë”, tha Trump.

Në skenë për fushatë iu bashkua dhe një ndër mbështetësit më të mëdhenj, Elon Musk. “Ai krijoi kompaninë e parë të madhe amerikane pas disa gjeneratash. Ai dhe firma e tij e raketave janë arsyeja e vetme që ne dërgojmë astronaut amerikanë në hapësirë”, tha Trump.

“Është një nder për mua të jem këtu. Është një provë e vërtetë karakteri mënyra se si reagon kur po qëllohesh. Dhe ne kemi patur një president që nuk ngjit dot shkallët në avion dhe një tjetër që ngriti grushtin pasi u qëllua”, u shpreh Musk.

Menjëherë premtimet u bënë hapësinore. “Ne do të udhëheqim botën me ushtri dhe do të arrijmë në planetin Mars përpara fundit të mandatit tim. Elon ma premtoi këtë gjë”, u shpreh Trump. Një ndër premtimet e tjera të Trump ishte se do të ndalonte burrat të marrin pjesë në kompeticione sportive femërore.