SYRI TV/ Protesta e opozitës, policia njofton bllokimin e qarkullimit për disa rrugë

Policia e Shtetit do të bllokojë qarkullimin e makinave në rrugët kryesore të Tiranës në kuadër të masave për protestën e madhe kombëtare që ka thirrur Partia Demokratike dhe opozita ditën e hënë në orën 18:00. Policia e Shtetit kërkon nga drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugë alternative për të mos penguar lëvizjen e qytetarëve që do të marrin pjesë në protestën e madhe të opozitës. Bllokimi i rrugëve kryesore në Tiranë në kuadër të masave të marra do të nisë nga ora 18:00 e së hënës.

Syri tv

Të hënën në orën 18 do të mbahet protesta e madhe kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare. Teksa opozita fton të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës, Policia e Shtetit në një lajmërim për mediat, ka njoftuar që ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj. Akset kryesore të Tiranës do të jenë të bllokuara për mjetet por jo për qytetarët, thuhet në lajmërim.  

Bllokimi i rrugëve kryesore për makinat në Tiranë do të fillojë që në orën 18:00 deri në përfundim të protestës që ka thirrur opozita. Të bllokuara nga ora 18:00 do të jetë bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe rrugët: ‘Ukraina e Lirë’, ‘Papa Gjon Pali II’ dhe ‘Ismail Qemali’.

Policia thotë se ka parashikuar dhe bllokimin për makinat edhe disa akseve të tjera rrugore nëse do të jetë e nevojshme për zhvillimin normal të protestës.

Rrugët që mund të bllokohen për lëvizjen e mjeteve janë:

Kafe ‘Europa’-  Segmenti "Ushtari i panjohur" deri te 9-katëshet; Shkolla "1 Maji" - kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit; kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja; Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës; Kryqëzimi i Librit Universitar; Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla ‘Sabaudin Gabrani’; Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga ‘Ibrahim Rugova’ dhe rruga ‘Ismail Qemali’; Rrethrrotullimi ‘Zogu i Zi’; kryqëzimi te ish-stacioni i trenit; kryqëzimi i urës së Taiëanit; Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit ‘Skënderbej’; kryqëzimi i urës së ish-hotel ‘Dajti’; kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave; rruga ‘Dritan Hoxha’, përpara vendit të quajtur ‘Kupola’ dhe kryqëzimi i ‘Pallatit me Shigjeta’.

Policia e Shtetit i kërkon drejtuesve të makinave që të përdorin rrugë alternative për të mos penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve që do të marrin pjesë në protestë.