Fatin e De Rossit mund ta ketë edhe Juriç, Roma mund ta shkarkojë trajneri kroat vetëm pas 20 ditëve

Drejtuesit e klubit italian të futbollit Roma mund të shkarkojnë një tjetër trajner, të dytin brenda pak javësh.

Së fundmi, Roma ka shkarkuar nga posti i trajnerit legjendën e saj Daniele de Rossi, i cili u pasua nga Ivan Juriç, dhe sipas raportimeve të Corriere dello Sport, kroati është gjithashtu pranë shkarkimit.

Juriç drejtoi Romën vetëm për katër ndeshje, duke shënuar dy fitore, një barazim dhe një humbje, që erdhi në ndeshjen e Ligës Evropiane, por ai ende kërcënohet me shkarkim për shkak se drejtuesit e klubit ndryshuan mendje.

‘Nëse ai nuk fiton ndaj Monzas, nuk përjashtohet kthimi i Daniele De Rossi, i cili u shkarkua për t’i hapur rrugë Juriçit’, shkruan Corriere dhe njofton se kroati do të shkarkohet nëse Roma nuk feston fitoren.

Problemi më i madh në periudhën e shkurtër të Juriçit në pankinën e Romës është stili i lojës, i cili nuk u pëlqen drejtuesve të klubit, për këtë arsye planifikojnë të ftojnë sërish De Rossin për të marrë skuadrën.

‘Udhëheqja e klubit, edhe pse e kënaqur me fitoren ndaj Udineses kryesuese (3:0), është shumë e shqetësuar për lojërat e këqija ndaj Venezias (2:1) dhe veçanërisht disfatën ndaj Elfsborgut (1:0) në Ligën e Evropës’, shkruan gazeta italiane e lartpërmendur.

Kujtojmë se De Rossi u shkarkua vetëm dy muaj pas vazhdimit të kontratës, gjë që habiti të gjithë tifozët e skuadrës nga stadiumi ikonë Olimpico.

Aktualisht Roma është skuadra e dhjetë e renditur në Serinë A italiane me nëntë pikë të fituara nga gjashtë ndeshje.