Luljeta Lleshanaku në 'Odeon': 6 vjeçe më hoqën të drejtën të ëndërroja

Familja e Luljeta Lleshanakut vuajti nën lëkurë mizoritë e regjimit diktatorial.

Poetja asokohe fëmijë, e kishte të qartë prej më të rriturve se ishte privuar nga zgjedhje të domosdoshme siç ishte ajo e vazhdimit të studimeve, e megjithatë diktatura nuk arriti të shkërmoq ëndrrat në sytë e saj.

Ndonëse kur ishte 6 vjeçe i thanë se si do të ishte fati i saj, Lleshanaku nuk hoqi dorë nga realizimi i dëshirave. Në “odeon” poetja tregoi edhe këshillën e bashkëshortit që i jepte forcë për të vijuar rrugëtimin artistik. 

“Më ishte thënë që në moshën 6 vjeçare që pak a shumë kjo është e ardhmja jote. Nuk e di si mund t'i thuhet një fëmije që ti nuk do të jesh si të gjithë fëmijët e tjerë, ti do të studiosh aq sa mund të studiosh, nuk ke të drejtë të shkosh në universitetet, nuk ke të drejtë të kesh një profesion. Fshehtas edhe ëndërronim, megjithëse ishte alogjike e gjitha kjo. Ja ku jam. Më ndihmoi shumë poezia. Njihje njeriun në anët e veta më të këqija. Ndryshe nga shoqëritë normale, shoqëritë demokratike, që nuk ka asnjë presion, që njeriu duhet të shfaqë patjetër vetëm anën e tij, në aspektin historik, psikologjik të gjitha ishin emocionale ishin pasuri shumë e madhe, që kur të falë Zoti mundësinë për t'u shprehur atëherë është dhuratë. Më kujtohet një nga këshillat më të mira që kam marrë në jetë ka qenë prej atij (bashkëshortit), më thoshte: Mendo si burrë! Nuk është se femrat janë më pak inteligjente, thjeshtë kanë pasur më pak mundësi. Ai me atë donte të thoshte që të mos merresha me gjërat të vogla, të përpiqesha të shmangia angazhimet, t'i merrja më lehtë që të kisha kohë të merresha seriozisht me poezinë. Domethënë u krijuan rrethanat e atilla që vazhdova poezinë”, tregoi Lleshanaku në “Odeon”. 

Me ardhjen e demokracisë së shumëdashur, poetes iu desh të shijonte vitet e para të vrullit të lirisë e më vonë të shkruante, një dashuri e mohuar prej shumë kohësh.