Liria ulëritëse në vargjet e Luljeta Lleshanakut, poetja në 'Odeon': Nuk besoj se ekziston ndonjë...

Një nga poetet më të veçanta të letrave shqipe, Luljeta Lleshanaku rrëfeu në emisionin “Odeon” në Syri Tv rrugëtimin artistik, vështirësitë për t’i mbijetuar torturës në sistemin diktatorial, dëshirës së pakufijshme për të përqafuar lirinë e për të shkruaj vargje poezie, procesin e krijimit pas viteve ’90, dëshirën për t’u dhënë zë përmes përkthimit autorëve të huaj, dhe ndryshimet që ka pësuar jeta e saj në Shtetet e Bashkuara.  

E dëshiruar prej kohësh, liria është koncepti qëndror i poezive të Lleshanakut, shoqëruar mjeshtërisht me imazhet që feksin ndjesitë e saj në mënyrë fotografike, e bëjnë vargun e poetes të përjetshëm.  

PJESË NGA BISEDA: 

Egla Xhemalaj: Koncepti i lirisë është i pranishëm kudo në poezitë tuaja, në poezitë e hershme po dhe në poezitë e mëvonshme, në vëllimet poetike që lexuesi nuk ka shumë vite që i ka në duar. Duket ngandonjëherë se përzgjedhja e vargut të lirë brenda vetes ka këtë fuqinë e jashtëzakonshme për të kërkuar e për të rrëmuar për lirinë. A është liri një nocion kryesor i gjithë krijimtarisë suaj?

Luljeta Lleshanaku: Unë mendoj që ai festival, ai çmim që mban emrin "Poeti Europian i Lirisë", ndoshta dhe një arsye që ju insistoni te termi i lirisë është më tepër simbolike. Pse? Sepse unë nuk besoj se ekziston ndonjë poet në botë, i cili në një mënyrë apo në një tjetër nuk e trajton lirinë në poezinë e tij. Nganjëherë janë tema më direkte, për shembull, siç është në rastin tim poema "Ujë dhe karbon", e cila flet për historinë e persekutimit gjatë viteve të komunizmit, vuajtjet. Kur ndërtoj një poezi lirike, një poezi dashurie në një formë apo në një tjetër liria është e pranishme. Gjithkush shkruan për lirinë, ndonjëherë në mënyrë më direkt, ndonjëherë në mënyrë padirekte.

Me vetëdije apo jo liria është pjesë e jetës së gjithkujt, që nga momenti i zgjimit në mëngjes, zgjedhjet që bëjmë, aktivitetet që bëjmë deri në darkë, pra të gjitha përcaktojnë dimensionin e lirisë brenda karakterit. Është e natyrshme që çdo libër që të marrësh qoftë dhe në letërsinë shqipe, patjetër që, diku në një farë mase e prek temën e lirisë. 

Është diçka krejt tjetër se si e trajton, sa e kapshme është nga lexuesi, sa e fuqishme apo sa esenciale është ideja mbi të cilën ti ndërton një poezi lidhur me lirinë.

Edhe në librat që do të vijnë në një farë mënyre kam ezauruar temën e komunizmit, qoftë përmes historive personale, qoftë përmes poemës "Ujë dhe karbon", që është më direkte dhe e kuptueshme që në distancë, por unë besoj se dhe në poezitë e tjera që do të vijnë do të preket tema e lirisë në forma të ndryshme. Ç'mund të thuhet për lirinë në kohën tonë? Kemi forma të cënimit të lirisë, nga forma më klasike që kemi luftë në qendër të Europës, luftë në Lindjen e  Mesme, pra kur flitet për lirinë, e para të shkon në mendje është lufta, pastaj regjimet totalitare. Liria ka të bëjë edhe në raport me identitetin, me karakterin kundrejt të njëjtave rrethana ne jemi njerëz të ndryshëm dhe doza, hapësira e lirisë në zgjedhjet që bëjmë përcakton dhe karakterin tonë. 

E vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, përfshirë “Poetja Evropiane e Lirisë” Luljeta Lleshanaku u kurorëzua në mbyllje të vitit 2023 me një çmim kombëtar, atë të Poetit Laureat të themeluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Një nga zërat më të mirë të letërsisë shqiptare, e renditur dhe e rekomanduar ndër poetët më të mirë botërorë, edhe në Panairet më të mëdha si ai Leipzigut të Gjermanisë, Lleshanaku shihet  në vend si një tjetër kandidaturë favorite shqiptare për Çmimin Nobel.