7 tetori/ Alizoti: Shqiptarët të bëjnë atë që bëjnë berlinezët apo parisienët kur dalin në protestë

Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti tha se shqiptarët duhet të bëjnë atë që bëjnë berlinezët apo parisienët kur dalin e protestojnë, sa herë mendojnë se iu shkelen të drejtat.

I ftuar në News24, Alizoti tha se Kuvendi i përket qytetarëve që me votat e tyre çojnë deputetët në sallën e Parlamentit.

“Kush ua jep të drejtën këtyre të përjashtojnë deputetët deri në dy muaj? Ne merremi me estetikën, kur këtu nuk funksionon asgjë.

Këtu kanë hallin e estetikës, e gjërave banale, në një kohë kur këtu kemi autokraci. Mua më shqetëson se si do të shkojë kombi shqiptar, jo këto gjërat estetike me sherre në Kuvend, që i kemi parë në plot vende”, tha Alizoti.

Duke folur për dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit, Alizoti tha se “kemi liderin e opozitës që qëndron në arrest prej 1 viti, ndërkohë që dënohet një tjetër demokrat, që nuk ka menaxhuar asnjëherë pushtet. Pse nuk ndodh kjo në asnjë vend tjetër të Europës Lindore?”.

“E mbani mend atë këngën “Ju hëngsha zemrën” me të cilën bëri fushatën Edi Rama? Pse kjo është ajo që kanë nevojë shqiptarët. Në një vend ku vrasësit me pagesë janë rrugëve, në një vend ku i pari i Bashkisë akuzohet për miliona pa fund, në një vend ku vidhet me PPP e tendera, ku ish-zv.Kryeministri flet për bëmat e këtij Kryeministri, jepet një dënim i papranueshëm për një djalë opozitar që s’ka bërë kurrë një tender.

Opozita duhet të radikalizohet në qëndrimet e saj, opozita po sfidohet dhe duhet të sfidojë Qeverinë”, tha Alizoti.

Deputeti demokrat tha se e dënon precedenti në rastin e burgosjes së Ervin Salianjit. “PD nuk e ka zgjedhur asnjëherë radikalizimin, ka folur, por nuk ka qenë radikale. Ku e merr kurajon që përjashton deputetët e opozitës, si mund të përjashtohen 24 deputetë, janë mijëra vota që këta deputetë përfaqësojnë”, tha Alizoti.

Ai tha se demokracia jeton nga njerëzit që dalin në rrugë, do thyhen edhe xhama. “Demokracia ruhet nga këta njerëz që dalin në rrugë për të mbrojtur të drejtat e tyre”, tha Alizoti. Sipas deputetit, vetëm në diktatura njerëzit nuk dalin dhe nuk kërkojnë të drejtat e tyre.

“Parlamenti është jo funksional. Opozita ka të drejtën e saj të radikalizimit dhe të drejtën e shprehjes së saj. Shumë parlamente, përfshi edhe në ato të vendeve nordike, kemi përplasje”, tha Alizoti.