Vrasja e Enea Thomallarit/ Hoxha: Lidhja e drejtësisë me krimin dhe me pushtetin. Edhe SPAK duart me “gjak”, dështoi për të ndërhyrë tek autorët

 Sekretari për emigracionin në PD, Indrit Hoxha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi disa muaj më parë ku humbi jetën tragjikisht 29 vjeçari, Enea Thomaraj në Elbasan.

Hoxha është shprehur se  Enea Thomaraj është dëshmori i lidhjes së drejtësisë dhe politikës me krimin, ai mund të jetë vrarë nga tritoli i vendosur nga duar banditësh por porositësit dhe lejuesit e krimit janë Nuredin Dumani dhe Altin Dumani.

DEKLARATË PËR MEDIA SEKRETARI PËR EMIGRACIONIN DHE DIASPORËN NË PD, INDRIT HOXHA

Pas tre muajsh lengatë në intubim, 29 vjeçari, Enea Thomaraj ka ndërrruar jetë.

Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Thomaraj dhe i bën me dije se nuk do të ndalet në denoncimin e këtij krimi që mori jetën e njeriut të tyre të dashur.

I plagosur rende në shtëpinë e tij, pa asnjë lidhje me as tritolin e vendosur në pallatin ku banonte, apo me asnjë ngjarje tjetër kriminale, Enea Thomaraj është dëshmori i lidhjes së drejtësisë dhe politikës me krimin. Ai mund të jetë vrarë nga tritoli i vendosur nga duar banditësh por porositësit dhe lejuesit e krimit janë Nuredin Dumani dhe Altin Dumani.

I pari, sepse me lejen e Ulsi Manjës e ka kthyer qelinë e burgut në shtab të vrasjeve me porosi. Prej kësaj qelie me televizor, telefon dhe komoditete të shumta Dumani i krimit ka porositur edhe tritolin për të vrarë motrat Nikolli. Shpërthimi i paguar nga Dumani i ka marrë jetën 29 vjeçarit Enea.

Gjaku i tij gjendet edhe në duart e Dumanit tjetër, Altinit kushuririt te Nuredinit të SPAK, i cili nuk lëvizi as gishtin kur motrat Nikolli, të shperngulura nga Lezha ne Elbasan për t’i shpëtuar vrasësit serial, e denoncuan me guxim ne Prokurorinë e Posaçme.

Nëse SPAK do kishte ndërhyrë, Nuredini do ta kishte humbur aksesin te privilegjet e kundraligjshme, madje duhej futur në izolim, siç parashikon ligji.

Asnjë nga këto nuk ka ndodhur sepse Dumani prokuror, afërmendsh do ta ruajë Dumanin kushuri kriminel.

I ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtesisë është kështu në bashkëpunim me Dumani e kontrolluar nga Krimi.

Si shpjegohet ndryshe mungesa e një të dyshuari apo të ndaluari tre muaj pas atentatit që i mori jetën 29 vjeçarit në Elbasan?

Si shpjegohet që SPAK nuk e pranon denoncimin e dy vajzave të reja kundër një prej vrasësve serial më famezinj në historinë e Shqipërisë?

Si shpjegohet që 2 shqiptarë, Enea Thomaraj 29 vjeç dhe Pal Trashaj 63 vjeç, u lanë të vdisnin vetëm pse SPAK nuk u ngrit ne lartësinë e duhur?

Nëse SPAK nuk i heton krimet e denoncuara nga qytetarët, kush e heton SPAK?

A ndjehet Dumani kaq i posaçëm sa te mos e lejojë Prokurorinë e Posaçme të hetojë krimet kushuririt te tij dhe aleatëve të posaçem të pushtetit, dhe të hetojë pa fakte të gjithë kundershtarët e pushtetit?

Këto janë pyetjet që ne dhe publiku bëjmë, sepse vrasja me tritol e Enea Thomallarit është vrasje shtetërore në kuptimin e mbrojtjes që Dumani prokuror i bën Dumanit vrasës serial sigurisht, nga detyrimet që ka ndaj tij.