Futbollisti hedh fishekzjarrë në konferencën për shtyp, një kameraman mbetet i lënduar

Një fishekzjarrë i hedhur nga anësori meksikan i Chivas, Roberto Alvarado, në konferencën për shtyp të klubit shkaktoi zemërimin e gazetarëve meksikanë të cilët e konsideruan lëvizjen e tij të papërshtatshme dhe u larguan nga zyra e shtypit në shenjë proteste.

Alvarado dyshohet se donte të bënte shaka duke hedhur një fishekzjarr në dhomën e shtypit.

Mirëpo, ai mjet piroteknik ka goditur në këmbë një nga kameramanët.

Historia shpejt u bë virale në mediat sociale dhe Alvarado mori përgjegjësinë për shaka dhe kërkoi falje.

Ai tha se nuk kishte ndërmend të hidhte fishekzjarrë në sallën e shtypit, por të bënte shaka me shokët e skuadrës.

Pas shpërthimit të fishekzjarrit, gazetarët janë larguar nga salla, por disa prej tyre janë kthyer më vonë për të vazhduar me aktivitetet e dakorduara. Megjithatë, të gjithë e dënuan ashpër veprimin e lojtarit.

“E pabesueshme ajo që ndodhi sot në Chivas. Në pothuajse 15 vjet të mbulimit të ekipit, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ishte shaka”, shkroi gazetarja Karina Herrera në platformën sociale X.