Pse fitorja e Donald Tramp ndan dhenë

Në themel të gjithë kësaj analize është konteksti ndërkombëtar ku ajo po zhvillohet, aq më tepër që diskursi kryesor i politikës shqiptare në dekada ka qenë qendrimi amerikan dhe europian si barometri i çdo zhvillimi të saj.

Kjo komponente e filozofisë politike sot ka arritur që të përligjë gjithçka, pasi qëndrimi i ndërkombëtarëve shihet si nje vijë e kuqe që askush, asnjë individ dhe parti nuk mund ta kalojë.

Por çfarë na mëson filozofia politike e kësaj dekade të fundit?

Cilat janë rrymat mbizotëruese të real-politikës sot në botë?

Është pikërisht qartësia dhe zhvillimi i tyre ajo komponentja bazë që i ka munguar diskursit tonë politik. Është lufta e paepur deri në përplasje totale, të paimagjinueshme më parë, e këtyre dy qasjeve që në Shqipëri nuk është artikuluar kurrë, por që me shumë gjasa do të shpjegonte shumë thjeshtë qëndrimin ndaj rregjimit të Edi Ramës dhe mosbindjen tonë parimore politiko- filozofike ndaj sjelljeve dhe qëndrimeve të amerikanëve dhe ndërkombëtarëve. 

Përgjigjia është plotesisht e pranuar nga të gjithë: sot në të gjithë botën e qytetërimit perëndimor të cilit ne i përkasim, është duke u zhvilluar një luftë tërësore vlerash të kundërta midis globalistëve ( soros, shvab e kompani) dhe patriotëve, të kryesuar  jo vetëm nga Trump, por edhe nga një grup i fortë i sapokrijuar në parlamentin europian, i quajtur grupi i patriotëve.

Në këtë kuptim, edhe qëndrimet e ambasadës amerikane, angleze apo të europianëve  duhen parë si të bashkëvendosura me qëndrimet e këtyre dy grupeve. Ndaj, është thjesht legjitime të thuash që qëndrimi i ndërkombëtarëve që po ndihmojnë Ramën deri në marrëzi  që të mbajë një rregjim në fuqi, është shkak i vendosjes së tij në vasalitetin e globalistëve amerikanë e europianë, dhe përdorimit të taktikave dhe politikave të tyre, që nga përdorimi si armë i drejtësisë kundra kundërshtarëve politikë, e provuar gjerësisht te Trump, deri te censura ndaj lirisë së fjalës, besimit dhe vlerave të tilla si familja, prindërimi, festat fetare etj. 

Në Amerikë globalistët kanë arritur deti aty sa të privojnë edhe " Happy Cristmas" apo faljen dhe ritin e saj të nxënësve nëpër shkolla apo sportistëve përpara ndeshjeve, në një shtet ku etërit themelues të saj e kanë vendosur që në nenin e parë të kushtetutës nderimin dhe vlerësimin ndaj Zotit dhe besimit të krishterë.

E përmenda këtë fakt të shkëputur nga njëri prej fjalimeve më të bujshme të Trump, që në vitin 2021, që shënoi epokën ndarëse mes këtyre dy rrymave, për të nënvizuar se deri në shkapërthim të paimagjinueshëm vlerash dhe qasjesh kanë arritur të imponojnë globalistët në shoqëritë perëndimore gjatë kësaj dekade.

Ja pse rryma që i kundërshton këto agjenda është ajo që mbron jo vetëm sovranitetin e çdo vendi, por edhe sistemin, traditën vlerat dhe zakonet e tij themelore. Ja pse fryma e patriotëve modernë të epokës së sotme na e përligj qasjen që shpeshherë ka ndaj qëndrimeve të ambasadorëve apo burokratëve evropianë.

Ne i përulemi atdheut dhe vlerave kombëtare, jo ambasadorëve globalistë, ne i parulemi Zotit jo burokratëve të çdo qeverie të mbajtur në këmbë padrejtësisht ndaj globalistëve, ne i përulemi interesave të kombit tonë, si patriotët e vërtete, jo agjendës së ndërkombëtarëve globalistë.

Ja, pse e themi me forcë që në fillim, nuk ka vetëm një Amerikë, një Europë apo një qytetërim perëndimor të përfaqësuar nga ata që janë sot në fuqi në vendet përkatëse, por ka dy qasje të mëdha politiko- filozofike dhe politiko- ekonomike, në luftë të paepur për vlera krejtësisht të kundërta.

Ja pse zgjedhjet e nëntorit në USA janë vendimtare për të gjithë epokën ku do të jetojmë në të ardhmen, për Europën dhe Lindjen e Mesme të sakatuar nga luftrat. 

Revanshi globalist i antivlerave ndaj frymës dhe parimeve të mëdha të qytetërimit perëndimor duhet të marrë fund, pa i shkaktuar katastrofa edhe më të mëdha themeleve të këtij qytetërimi. 

Ndaj zgjedhja e Trump president përshëndetet sot nga 83 % e botës ( në bazë të një anketimi të fundit), ndaj  dhe data 5 Nëntor ndan dhenë për t’i bërë patriotët të kenë një zë të fortë e mbrojtës në arenën euro-atlantike, duke shkërmoqur njëherë e mirë fabulën se opozita jonë e sotme e ka të pamundur të vijë në pushtet pa një përkrahje të tillë euro- atlantike. 

Për t’i hapur rrugë drejtësisë dhe vlerave të patriotëve, i gjithë kominiteti shqiptar në USA, në emër të Shqipërisë dhe së ardhmes së saj, duhet të luftojë e të votojë për fitoren e Trump dhe vlerave që ai përfaqëson. Vetëm kështu mund të shpëtohet Shqipëria nga kupola mbrojtëse që burokratët perëndimorë globalistë i kanë krijuar rregjimit të Ram-vasalit të tyre. 

Le të luftojmë në një fushë betejë të sheshtë e jo malore, me armë të njëjta e në kushte të njëjta, jo si kjo dekadë e fundit. Për këtë, çdo shqiptar duhet të urojë që patriotët të arrijnë ta fitojnë betejën ndërkombëtare me globalistët, përndryshe ferri  do të hapë "rrathë të rinj" për Shqipërinë e cila do vazhdojë të zhbëhet përditë deri në faliment socio-politik, demokratik dhe ekonomik.