Zbardhet lista e Çekisë, mungon ‘ylli’ i Bayer Leverkusenit

Edhe Çekia, kundërshtarja e radhës e Shqipërisë në ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve, ka zbardhur listën e futbollistëve që do të grumbullojë për dy ndeshje.

Trajneri Tomas Hubshman ka grumbulluar për herë të parë dy portierë të rinj, si dhe ka rikthyer pas shumë vitesh sulmuesin Jan Kliment të Mlada Boleslav.

Për shkak të problemeve fizike, është lënë jashtë futbollisti i Bayer Leverkusenit, Patrik Schick.

 “Kliment është aktualisht golashënuesi më i mirë në kampionat dhe po luan në një formë të shkëlqyer. Ne vizituam kohët e fundit Patrik Schick në Gjermani dhe ramë dakord që ai të shfrytëzonte këtë ndërprerje që të trajtonte problemet e vogla shëndetësore, të cilat nuk e ndalojnë të luajë, por e pengojnë të jetë në gjendjen optimale. Kështu ne mund ta përdorim atë në takimet e ardhshme”, tha trajneri duke shpjeguar zgjedhjet e tij.