Makina del nga rruga në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, merr para shtyllën e energjisë elektrike

Një aksident ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në dalje të fshatit Dushk, ku një makinë tip fuoristradë ka dalë nga rruga dhe ka thyer një shtyllë të tensionit të mesëm që furnizon me energji pompat e ujit që furnizojnë qytetin e Lushnjës.

Gjithë zona pa energji elektrike. Drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të lagështisë në rrugë dhe pakujdesisë.

Drejtuesja e mjetit dhe një shoqe e saj kanë marrë lëndime të lehta. Në vendngjarje ndodhen uniformat blu për të hetuar mbi shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Gjithashtu në vendngjarje ndodhet edhe grupi i avarive të OSSHE për të risjellë energjinë tek pompat e ujit.