Xhaferri: Tirana nën mbretërinë e ujit! Kreu i bandës 5D në çdo edicion lajmesh, po sfondi pas tij është me diell

Kryetari i FRPD-së, Besart Xhaferri ka reaguar në lidhje me përmbytjen e kryeqytetit, pas reshjeve të shiut që kanë përfshirë vendin.

‘Tirana sot është nën mbretërinë e ujit që në mungesë të një sistemi kanalizimesh efiçent ka vërshuar rrugëve, duke shkaktuar dëme në mijëra banesa dhe sipërmarrje në lagje të ndryshme të Kryeqytetit dhe veçanërisht në ato zona që përshkon lumi Lana’, shkruan Xhaferri në Facebook.

Gjithashtu kreu i FRPD është ndalur edhe te propaganda e Bashkisë Tiranë, ku sipas tij, ‘sot Kreu i Bandës 5D është në çdo edicion lajmesh dhe sfondi pas tij është me diell ndonëse Tirana është nën ujë, pasi prioritet i tij në 9 vitet në krye të Bashkisë kanë qenë, propaganda, fasada dhe zhvatja’.

Postimi i plotë:

Tirana sot është nën mbretërinë e ujit që në mungesë të një sistemi kanalizimesh efiçent ka vërshuar rrugëve, duke shkaktuar dëme në mijëra banesa dhe sipërmarrje në lagje të ndryshme të Kryeqytetit dhe veçanërisht në ato zona që përshkon lumi Lana.

Sikur Bashkia Tiranë të kishte investuar vetëm gjysmën e fondeve që alokon për propagandë, për mirëmbajtjen e rrjetit kanalizimeve dhe zgjerimin e tij në raport të drejtë me zgjerimin e qytetit sot dëmet nga përmbytjet do të ishin minimale.

Me ato paga që  UKT paguan gazetarë e moderatorë që as nuk i dinë zyrat e këtij institucioni, të paguheshin eskpertë të fushës, Tirana çdo vjeshtë nuk do kthehej në Venecian e Ballkanit.

Sot Kreu i Bandës 5D është në çdo edicion lajmesh dhe sfondi pas tij është me diell ndonëse Tirana është nën ujë, pasi prioritet i tij në 9 vitet në krye të Bashkisë kanë qenë, propaganda, fasada dhe zhvatja.

Prej ditësh paralajmërohej një situatë kritike sa i përket motit por i vetmi angazhim i Bashkisë Tiranë ka qenë grumbullimi i mbetjeve për Inceneratorët që nuk punojnë, për të justifikuar rritjen e kostove të fryra  për to.

Në 7 Tetor të marshojmë rrugëve të Tiranës kundër këtij sekti që vjedh dhe përçmon barbarisht qytetarët.