Ish-ndihmësi i Ten Hag zbulon sekretet e Sanchos: Ishte i mbyllur, largohej shpesh për në Londër

Benni McCarthy ishte ndihmëstrajner te Manchester United në sezonin 2022/23, ku punoi me Jadon Sanchon. Ai dha disa arsye për dështimin e sulmuesit anglez te “Djajtë e Kuq”.

“Ai është shumë i diskret, askush nuk dinte gjë për Sanchon. Mendoj se për shkak të mungesës së komunikimit dhe mirëkuptimit ai nuk ia doli te Man. United”, tha ish-lojtari i Portos në podkastin “On The Whistle”.

Sancho, i cili u kushtoi “Djajve e Kuq” 85 milionë euro, pati një debat me trajnerin Erik ten Hag në fillim të sezonit të kaluar, gjë që çoi në largimin e tij dhe më pas në huazim te Borussia e Dortmundit në janar.

Benni McCarthy tha se anglezi refuzoi të kërkonte falje pas një debati me trajnerin holandez.

Megjithatë, sulmuesi u shit te Chelsea, diçka që për McCarthy-n do të jetë e dobishme për të.

“Është më afër shtëpisë, sepse kur ishte Manchester ai shpesh ikte fshehurazi në Londër. Mendoj se donte të ishte më afër familjes, miqve dhe kulturës londineze. Kjo është arsyeja pse ai ka qenë në Londër shumë herë”, tha McCarthy.

“Shpresoj që ai të gjejë paqen dhe magjinë që gjeti kur shkoi në Dortmund. Mendoj se do të bëhet sërish një lojtar i veçantë dhe të gjithë do ta dëshironin këtë, sepse kjo është e mirë për futbollin botëror”, shtoi McCarthy.