Kroos: Fituam pa CR7 e Ramos, Reali do të fitojë edhe pa mua

Toni Kroos e mbylli karrierën e tij pas Euro 2024 në moshën 34-vjeçare dhe nuk ka në plan ta ndryshojë vendimin e tij.

Mesfushori luajti ndeshjen e fundit të karrierës kundër Spanjës, e cila rezultoi në eliminimin e Gjermanisë nga Euro 2024.

“Vendimi im është i pandryshueshëm. Duhet ta pranojmë. Është kompliment të jesh i rëndësishëm, por duhet të përshtatesh”, ka thënë ai, në podcast që ka me vëllanë e tij, duke kujtuar emra si Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo.

“Real Madridi u përshtat kur u larguan Cristiano dhe Ramos. Ata (Los Blancos) janë përshtatur gjithmonë dhe kanë vazhduar të fitojnë. Fituam dy herë Champions League pa ta, edhe pse ishin të rëndësishëm dhe janë legjenda absolute. E njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, pa mua”, tha ai.

 “Të gjithë lojtarët e Real Madridit janë shumë të mirë në mënyrën e tyre. Ata thjesht duhet të gjejnë një mënyrë për të luajtur për të fituar dhe do ta bëjnë. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt që të mos dëgjojnë gjithmonë: 'Kroos nuk është atje'”, ka shtuar ish-futbollisti gjerman.