Qëndrimi i Peleshit, reagon Bardhi: PS refuzoi dy herë të zbatojë Kushtetuesen, duke mbrojtur Olta Xhaçkën

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të bëra nga homologu i tij socialist, Niko Peleshin gjatë ditës së sotme në Korçë.

Peleshi akuzoi opozitën, se ka kaluar vijën e kuqe në parlament, ndërsa në reagimin e tij, Bardhi shprehet se, PS refuzoi dy herë që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke mbrojtur Olta Xhaçkën.

Reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Nuk ka vendim më të lartë përfundimtar dhe pa asnjë mundësi rishikimi sesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Partia Socialiste refuzoi 2 herë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pranuar të dorëzojë para drejtësisë bashkëpunëtoren e Edi Ramës, ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka.

Nga ky moment, përrallat me 140 vota për Reformën në Drejtësi, përrallat me respektin ndaj drejtësisë së pavarur apo vendimet e gjykatave, të thënë nga goja e tyre që kanë zhbërë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, provojnë sesa të pafytyrë që janë.

Nuk mund të ketë një drejtësi me telekomandë kundër opozitës, dhe një drejtësi që injorohet kur godet bashkëpunëtorët e Edi Ramës. Që nga momenti që Kushtetuta u gris për llogari të korrupsionit të Olta Xhaçkës, çdo grimcë e respektit ndaj shtetit ligjor, zhduket.

Është detyrë dhe mision i opozitës që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës.

Në një reagim gjatë paradites së sotme, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Niko Peleshi, u shpreh se, opozita e kaloi vijën e kuqe me reagimin e saj.  Nga Korça, Peleshi theksoi se  nuk ndihet aspak mirë për përjashtimin e kolegëve demokrate.  

“Ne duam të kemi një seancë normale, me debat të fortë por brenda disa vijave të kuqe. I vetmi problem që shohim në politikën e këtyre viteve është kuptimi i vijave të kuqe. Të debatojmë, por jo të dalim përtej. Ajo që ndodhi ishte e pa precedent, por ne nuk duam ta kemi prezent dhunën në parlament dhe ta eskalojmë nga një krizë ndërpartiake tek tjetra”, tha Peleshi.