Dumani vret edhe nga qelia/ Qytetarët: Ndjehemi të pambrojtur edhe në shtëpitë tona

Lajmi i dhimbshëm, që u përhap në Elbasan në prag të kësaj fundjave për ndarjen nga jeta në Spitalin e Traumës të Enea Thomarajt, i cili mbeti i plagosur gjatë shpërthimit me tritol 3 muaj më parë në lagjen “Haxhias ” të Elbasanit, i ka trishtuar të gjithë.

Banorët e Elbasanit e kanë përjetuar mjaft dhimbshëm këtë fatkeqësi, e cila shkaktoi një viktimë të pafajshme.

Fqinjët e të ndjerit shprehin indinjatën e tyre për faktin se ende pas tre muajsh, ngjarja është pa autor dhe se siguria jo rrallë lë për të dëshiruar.

“Shpresonim se do t’i mbijetonte të keqes. Ndjehemi të pambrojtur dhe të rrezikuar edhe brenda shtëpisë. Nuk dimë kë kemi ngjitur me apartamentin dhe se çfarë problemesh kanë me ligjin e grupet kriminale. Zoti na ruajt se sot të gjen e keqja ku nuk e pret”, shprehen banorët të lagjes “Haxhias” ku jetonte Enea Thomaraj.

Sipas hetimeve të policisë 3 muaj më parë, shënjestër e atentatit me tritol në pallat ishin pikërisht motrat Alda dhe Xhovana Nikolli.

Pikërisht kjo e fundit ka dalë në media dhe rrjete sociale duke akuzuar Nuredin Dumanin si autorin që fshihet prapa vendosjes së tritolit.

Por ajo tha se pavarësisht se kishte denoncuar në SPAK këtë fakt, Prokuroria e Posaçme ishte tallur duke i thënë se Dumani ka dashur thjesht ta trembë.