Washington Post: Deputetët e opozitës vazhdojnë rezistencën, të hënën është thirrur një protestë kombëtare me mosbindje civile

Mediat e mëdha ndërkombëtare i bëjnë jehonë protestës së opozitës në Kuvend.

Gazeta e madhe amerikane ‘Washington Post’ shkruan se vazhdon rezistenca e deputetëve të opozitës, të cilët akuzojnë socialistët e Edi Ramës se kanë uzurpuar çdo pushtet, përfshi edhe gjyqësorin.

“Deputetët shqiptarë të opozitës protestuan të enjten në Parlament, duke djegur figurina dhe duke u përplasur me truprojat, pasi një nga kolegët e tyre u dënua për shpifje dhe u burgos.

Ligjvënësit konservatorë demokratë, të cilët kishin bërë thirrje për bojkot të seancës së së enjtes, u përpoqën të bllokonin kolegët e tyre nga Partia Socialiste në pushtet që të mos hynin në dhomë.

Ata po protestonin për burgosjen e Ervin Salianjit, i cili në vitin 2018 kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të atëhershëm për akuzat për veprimtari të paligjshme të vëllait të tij që më pas rezultuan të sajuara.

Salianji, i cili filloi të vuante një vit dënim javën e kaluar, ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.

Demokratët ndërprenë të hënën një seancë parlamentare, duke thënë se dënimi i Salianjit ishte i motivuar politikisht dhe duke bërë thirrje për protesta në kryeqytet, Tiranë, duke filluar nga java e ardhshme. Njëzet e katër demokratë u dënuan për protestën me pezullim nga 10 deri në 60 ditë,” shkruan gazeta.

“Të enjten, demokratët u përleshën me truprojat dhe dogjën katër figurina të socialistëve në pushtet, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Pas dështimit për të hyrë në sallë, deputetët e opozitës përfunduan protestën e tyre dhe menjëherë pas kësaj, homologët e tyre socialistë përfunduan seancën dhe u larguan.

Opozita ka bërë thirrje për një protestë kombëtare të hënën e ardhshme në Tiranë, duke u bërë thirrje mbështetësve të saj të marrin pjesë në mosbindje civile.

Demokratët kanë akuzuar prej kohësh socialistët e Ramës për uzurpim të pushtetit, përfshirë drejtësinë, dhe kanë organizuar protesta të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013,” shkruan gazeta.