I dhunshëm dhe hajdut, ish-futbollisti i Danimarkës përfundon në burg për 24 euro

Nicki Bille Nielsen, ish-futbollist i përfaqësueses së Danimarkës, u ndalua këtë të enjte në paraburgim me dyshimin se ka kryer një grabitje në supermarket.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Ekstra Bladet, e cila sqaron se ngjarja daton më 4 shtator, kur ish-lojtari 36-vjeçar vodhi një dyqan Coop 365, në Hvidovre, duke marrë pa pagua një shishe verë, lëngje dhe ushqime tajlandeze në shumën prej 176 koronash daneze, me një vlerë rreth 24 euro.

Në momentin që po largohej, dy punonjës të lokalit e ndaluan, por ai reagoi dhunshëm. Përballë këtij skenari, ish-Nordsjaelland, Lech Poznan apo Rayo Vallecano u bë më agresiv dhe madje kërcënoi fizikisht një nga punonjësit.

Pasi dy punonjësit thanë se do ta denonconin rastin në polici, Nicki Bille Nielsen u përgjigj: "Do të të kap kur të jesh jashtë punës".

Nicki Bille Nielsen u deklarua fajtor, përmes avokatit mbrojtës Mie Holm Quast, për vjedhje dhe kanosje të një punonjësi, por mohon se ky është një rast grabitjeje. Pas një seance dëgjimore në Gjykatën e Glostrup, ish-lojtari danez do të qëndrojë në paraburgim për katër javët e ardhshme.

Kjo nuk është hera e parë që lojtari gjendet para drejtësisë daneze, pasi në vitin 2019 është dënuar me katër muaj burg për kërcënimin e një biçiklisti, sulmin ndaj portierit, kërcënimin e një infermiereje dhe për posedim kokaine.

Në vitin 2022, ai vuajti një dënim të ri prej pesë muajsh pas akteve të dhunës në një klub nate, megjithatë, pas shqyrtimit të vendimit, ish-sportistit iu reduktua dënimi në tre muaj. Gjithashtu iu ndalua të frekuentonte ambientet e jetës së natës për gjashtë muaj.