VIDEO/ Taksia del nga rruga në aksin Lushnjë-Berat, plagoset shoferja, përfundon në spital

Një mjet tip ‘Volksvagen’ që shërbente si taxi ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Kashtbardhë në rrugën nacionale Lushnjë-Berat.

Në kthesën sapo kalon Kashtbardhën drejtuesja e mjetit një 40 vjeçare me iniciale M. Sh. ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Mjeti ka përfunduar në kanalin kullues përgjatë rrugës.

Drejtuesja e mjetit është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës dhe është nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që për nxjerrjen e saj është dashur ardhja e zjarrfikësve të Lushnjës.

Policia në vendngjarje po kryen dokumentimin e ngjarjes dhe po disiplinon trafikun. Kthesa në fjalë është shumë e rrezikshme ku edhe barrierat anësore të hekurta janë dëmtuar dhe shqyer nga daljet e shpeshta të makinave nga rruga në këtë pikë.

Paraprakisht dyshohet se drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizte.