Një kohë për të zgjedhur - Letër e Hapur për Shqiptarët

E djathta shqiptare sot qëndron në një udhëkryq. Pas shumë viteve zhgënjimesh, lodhjes nga premtimet e pabazuara dhe agresionit të pashembullt ndaj saj, shumë pyesin nëse ka mbetur ende ndonjë fije shpresë. E djathta është përballur me sfida të mëdha, duke parë të njëjtin pushtet të majtë në krye të vendit që prej vitit 1945, me pak përjashtime të viteve të qeverisjes së djathtë. Një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ndien se janë nën një regjim që gërryen ngadalë lirinë, identitetin kombëtar dhe çdo mundësi për një jetë më të mirë.

Por kjo ndjenjë dëshpërimi është pikërisht ajo që propaganda synon të ushqejë. Autokracia që është vendosur në Shqipëri lulëzon mbi dëshpërimin dhe mungesën e shpresës së qytetarëve të saj. Shumë aktorë në politikën shqiptare përpiqen që konservatorët dhe çdo opozitar të besojnë se ndryshimi është i pamundur, se përpjekjet për të luftuar nuk kanë kuptim dhe se Shqipëria është e destinuar të mbetet përjetësisht nën hijen e të majtës.

Por historia na mëson të kundërtën. Ajo është e mbushur me momente kur popuj të shtypur janë ngritur mbi sfidat dhe kanë rimarrë fatin e tyre në duart e veta. Kjo është një kohë e tillë për të djathtën shqiptare. Sot është koha për të zgjedhur, jo vetëm për të djathtët, por për çdo shqiptar me ndërgjegje. Rruga përpara nuk është e lehtë, por as e pakapërcyeshme.

Propaganda sot kërkon të krijojë perceptimin se e djathta është e zbrazët, pa ide, pa vizion dhe pa njerëz me integritet. Në fakt, e djathta në Shqipëri ka një vizion të qartë për vendin, të rrënjosur në identitetin tonë kombëtar dhe vlerat familjare, dhe më e rëndësishmja, ka një vizion për dekadat e ardhshme për vendin tonë. Vizioni i saj është i thjeshtë: Shqipëria duhet të jetë një vend ku çdo familje ka mundësinë të lulëzojë, ku shteti nuk mbyt iniciativën individuale dhe ku qytetarët jetojnë të lirë nga frika dhe burokracia e tepruar.

Partia Demokratike nuk është e përkryer dhe ka gabimet e saj, ashtu si çdo parti tjetër. Brenda saj ka njerëz të paaftë, ish-sigurimsa, sorosianë, apo individë që nuk meritojnë të jenë pjesë e saj. Por ajo ka dhe njerëz kurajozë, qëndrestare, të djathtë të vertetë dhe të aftë. E këta janë më të shumtë në numër. PD është mbi të gjitha shtëpia e antikomunistëve, të persekutuarve, pronarëve legjitimë, pasardhësve të Ballit Kombëtar, trashëgimtarëve të Legalitetit, shtresës së mesme, intelektualëve, sipërmarrësve të ndershëm, të rinjve, fermerëve, punëtorëve etj.

Çdo individ i djathtë duhet të kthehet në shtëpinë e vet politike dhe të luftojë për të, duke bërë që PD të ngrihet në nivelin e pritshmërive që populli shqiptar ka për të. Të djathtët nuk duhet të mjaftohen vetëm me ankesa, por të marrin përsipër betejat e tyre dhe me numrat e shumtë të tejkalojnë çdokënd që PD-në e ka sabotuar këto vite dhe që e do të zvogëluar, të dobët, të majtë dhe përjetësisht në opozitë.

PD ka gabimet e saj, por nuk është një parti kriminale. Përkundrazi! PD ka qenë dhe është një forcë e rëndësishme për demokracinë dhe lirinë në Shqipëri. Ajo solli shpresën pas 45 viteve të errëta të diktaturës komuniste. Në qeverisjen Berisha, PD arriti të anëtarësojë Shqipërinë në NATO, të sjellë liberalizimin ekonomik dhe të mundësojë zhvillimin e infrastrukturës dhe energjisë. Ajo ka ndjekur politika që u kanë mundësuar shqiptarëve të çlirojnë energjitë dhe potencialet e tyre, duke bërë që me dhjetëra mijëra familje të rikthehen në atdhe.

Sot, megjithëse ka qenë nën sulm të vazhdueshëm për një dekadë, PD është e gatshme të udhëheqë Shqipërinë drejt një të ardhme më të mirë. Mbijetesa e saj pas këtyre sulmeve dëshmon forcën dhe qëndresën e një partie të madhe që nuk është vetëm një forcë politike, por një simbol i qëndresës dhe antikomunizmit – është pikërisht ky simbol që përpiqen të godasin në mënyrë të vazhdueshme. Ndaj PD sot është nën sulm, sepse duan të zhdukin atë me të cilën identifikohen të djathtët, në përpjekjen e përhershme për t’i lënë ata pa organizim, pa përfaqësim dhe pa identitet.

Në këto dhjetë vite PD ka qenë nën një agresion të paprecedentë. Nuk mendoj se ka në Perëndim një forcë politike që të jetë sulmuar dhe rrethuar si Partia Demokratike pas vitit 2013, nga brenda dhe nga jashtë. Por ajo mbijetoi – falë qëndrestarëve që në momentin e duhur, kur erdhi koha për të zgjedhur, u bashkuan me liderin e tyre historik për të shpëtuar shtëpinë e tyre politike. Dhe PD, ashtu siç vetëm një parti e madhe do mund të bënte, mbijetoi.

Sot, kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjendet nën arrest politik pa asnjë provë të qartë dhe sulmi ndaj tij është një përpjekje për të frikësuar të gjithë të djathtët. Për mirë a për keq, Sali Berisha shkon përtej emrit të tij. Ai është një pjesë e historisë së të djathtës shqiptare dhe sulmi ndaj tij është dhe një sulm për të dëmtuar historinë tonë të përbashkët dhe për të përkulur me anë të frikës çdo të djathtë. Por e djathta shqiptare ka treguar që nuk është e dobët dhe as nuk do të përkulet. Ajo është një forcë me dinjitet, që debaton, diskuton dhe përplaset brenda vetes, duke treguar se është një grupim antikonformist me shpirt të lirë dhe të pa përkulur. E djathta nuk ka një turmë njerëzish që binden apo servilosen, por një grupim individësh të lirë, të bashkuar rreth disa vlerave, një vizioni, me respekt për institucionet e brendshme dhe të jashtme, për historinë dhe traditën e vet, e të rrënjosur në interesin kombëtar, për të forcuar individin dhe familjen.

PD ka rimëkëmbur forcat e saj dhe sot është gati të prezantojë një program elektoral gjithëpërfshirës, që ka në fokus familjen dhe individin. Ky program – i bazuar te një vizion i caktuar për vendin – përqendrohet në politika që do të mundësojnë krijimin e një ekonomie të qëndrueshme përmes taksave të ulëta, heqjes së rregulloreve të tepërta e mbytëse, digjitalizimit të sigurt të shërbimeve, zvogëlimit të burokracisë, incentivimit të sipërmarrjeve të reja, dhe rikthimit të trurit me lehtësira fiskale. Politikat e saj synojnë që të ndalin dhe kthejnë pas krizën e shpopullimit, duke krijuar një Shqipëri ku të rinjtë duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Vizioni afatgjatë i PD për Shqipërinë deri në vitin 2050 është një Shqipëri e lirë, me individë të çliruar e të fortë, që ka në thelb familjen, mbështetet te vetja, është produktive dhe e sigurt. Një Shqipëri ku sektori privat lulëzon, institucionet janë të forta dhe korrupsioni nuk është më normë. Ky është një vizion optimist dhe shpresëdhënës për të ardhmen, i cili mund të nisë zbatimin që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme.

Ne kërkojmë një komb që qëndron me krenari në skenën botërore, me partneritete strategjike, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin tonë. T’ia japim shansin të djathtës ta zbatojë këtë vizion, dhe patjetër t’i kërkojmë llogari nëse nuk e arrin.

Ndaj e djathta nuk duhet të humbasë shpresën, por duhet të ketë të vetmen gjë që ka vërtet rëndësi - vullnetin për të kapërcyer çdo vështirësi. Zgjedhjet e ardhshme pranverën që vjen nuk janë vetëm një palë zgjedhje çfarëdo; ato janë një pikë kthese, një zgjedhje midis vazhdimit të stabilokracisë së imponuar nga jashtë apo rikthimi të vlerave tona demokratike. Është një shans për të refuzuar stanjacionin që ka pllakosur vendin tonë dhe për të përqafuar një të ardhme të begatë dhe të lirë.

Partia Demokratike është e gatshme të udhëheqë këtë betejë me një platformë të bazuar në realitet, duke adresuar shqetësimet e shqiptarëve të zakonshëm, duke ofruar një rrugë të qartë dhe të zbatueshme përpara.

Është e lehtë të ndjekësh propagandën dhe të fokusohesh te dështimet e PD, por nuk është kjo rruga e vetme. Presidenti Reagan thoshte më mirë pranoj në qeverisje ata me të cilët bie dakord 80 përqind të rasteve, se sa ata me të cilët nuk bie dakord 100 përqind. Mendoj se çdo i djathtë bie dakord me PD më shumë se sa me PS. Mendoj se dhe elektorati gri është në të njëjtën pozitë. Shikoni në Shtetet e Bashkuara se sa guvernatorë dhe zyrtarë të Partisë Republikanë ishin kundër Donald Trump në primaret e fundit. Mendoni sulmet që ju bënë atij duke e akuzuar dhe si kalë troje brenda të djathtës. Sot i gjithë elektorati i qendrës së djathtë është pas tij, sepse e kuptojnë rrezikun përballë tyre.

Ndërkohë qe merremi me gabimet e Partisë Demokratike do kuptojmë shume shpejt qe nuk na ka mbetur më një komb. Sot flitet për ndarje të shtetit shqiptar – për shtete brenda shtetit. Ka ndodh një sulm i paprecedentë për të vrarë përfundimisht nervin e revoltës së çdo shqiptari. Ç’do mendonin paraardhësit tanë? Sa turp do u vinte nga ne sot? Ndërsa kritikuesit e përhershëm, partitë e reja, pseudo shoqërinë civile, nuk i kemi parë të bëjnë ndonjë proteste te qenësishme, ata demokratët e thjeshte, me sakrifica e vuajtje mbushin sheshet, durojnë dhe te sharat e talljet, dhe qëndrojnë me kokën lart.

Sepse e djathta është qëndresë, është kurajë, është dinjitet, është krenari, është ana e drejtë e historisë. Të djathtët kanë qenë këtu përherë dhe do të vazhdojnë të jenë për shumë e shumë dekada, si shtylla më e rëndësishme e këtij kombi.

Në pranverën e vitit tjetër do ketë vetëm dy alternativa, mazhoranca e sotme do të vazhdojë ose do të shkojë në opozitë. PD është e vetmja që mund të garantojë rrugën e dytë. Ndryshimi është i mundur, por kërkon secilin prej qytetarëve që bëjnë pjesë në qendrën e djathtë. PD e ka potencialin për t’i dhënë vendit një drejtim të ri – një drejtim të përcaktuar nga liria, mundësitë dhe krenaria kombëtare.

Tani është koha për të zgjedhur. A do e lejojmë rrugën që e çon Shqipërinë në errësirë të vazhdojë drejt destabilitetit, apo do të zgjedhim rrugën drejt një të ardhmeje që mund të jetë më e ndritshme për Shqipërinë? A do t'i nënshtrohemi dëshpërimit, apo do të ngrihemi të kërkojmë ndryshimin që ne e dimë se është i mundur? Rruga drejt fitores nuk është e lehtë. Ajo kalon nëpër protesta, edhe nëpër mosbindje civile, kërkon qëndresë. Por për asgjë nuk ia vlen të luftohet më shumë se sa për të ardhmen.

Ky është momenti i të djathtëve që të ngrihen në lartësinë që kërkon koha dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur.

/Nikola Kedhi është – Drejtues Bordi i Albanian Policy Center/