Vaji për karriget, përballë Shqipërisë së përcëlluar

Silvi Bardhi/

Përjashtimi i deputetëve të opozitës nga seancat parlamentare, është bërë një zakon i parashikueshëm nga Partia Socialiste. Kjo ndodh si pasojë e marrjes peng të institucionit më të lartë të shtetit, aty ku shkruhet dhe vuloset fati i çdo qytetari shqiptar.

Përse është marrë peng?

Partia Socialiste me “forcën e kartonëve” e ka shndërruar Parlamentin në godinë noterie ku me një porosi të thjeshtë, vendimet transmetohen të porositura drejtpërdrejt nga Edi Rama.

Dhe kjo është një formulë e ndjekur me përpikmëri fanatike nga Partia Socialiste.

Opozita, e cila jashtë sallës së Parlamentit është sulmuar deri në tentim asgjësimi, përballet edhe me tentimin e asgjësimit brenda dyerve të godinës ku përfaqësohet vullneti i votuesve shqiptarë.

Fjala ishte e para, thuhet në Bibël dhe Kuran dhe është forma e parë e shprehjes së mendimit të cilën askush nuk mund ta mohojë apo pengojë.

Dhe me fjalën e saj opozita nuk  është lejuar madje u është mohuar e drejta për reagim.

Rasti më i fundit është akti që opozita me të drejtë në mënyrë simbolike tregoi se karrikja është diçka e pavlerë kur zëri i saj nuk dëgjohet dhe dinjiteti i saj tentohet të përçudnohet.

Ushtria e analistëve dhe mediave të paguara sigurisht që ndoqën po të njëjtin skenar.

“Të qajmë për disa karrike druri të djegura”, paçka se Shqipëria është e tëra e përcëlluar nga varfëria dhe shpopullimi masiv, nga depresioni social dhe pasiguria e jetës.

Një vend i cili po përcëllohet dita ditës nga ilaçet e munguara për sëmundjet më të rënda shëndetësore, për pensionet tallëse, për koston e lartë të jetës për çdo familje, për frikën që pushteti i transmeton kur pompon arrestime në nivelin më të lartë të përfaqësimit politik, siç po ndodh në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme për Kryetarin e Opozitës Sali Berisha dhe deputetin demokrat Ervin Salianji.

Këto sinjale janë shumë të qarta për qytetarët shqiptar.

Presion, frikë dhe terror psikologjik, për pushtet absolut dhe të pathyeshëm.

Por historia ka treguar se asgjë nuk zgjat përgjithmonë.

Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se asnjë pushtet në botë nuk mund të jetojë përgjithmonë, sado propaganda të pompojë nga të gjitha anët e taborit, politikë, media, shoqëri civile.

Dita nuk është e largët kur frika do të marrë fund dhe shqiptarët të jetojnë të lirë, përfaqësuesit e tyre t’i rikthehet ligjit dhe shteti t’i shërbejë qytetarit, për të cilin ka detyrimin themelor.