‘Varfanjaku’ Xhafaj jeton vetëm me rrogën, gruaja notere me të ardhura 90 Euro muaj, por me dhjetëra apartamente pasuri

Referuar deklarimit të pasurive në ILDKPI, rezulton se ish-ministri e deputeti Fatmir Xhafaj është “fukara”, madje ka marrë dhe 100 mijë Euro kredi për blerje shtëpie e 29 mijë Euro borxh për blerje makine dhe tani jeton vetëm me pagën.

Gruaja e Fatmir Xhafajt, zonja Mimoza Xhafaj, deklaron se ka aktivitet privat si notere, por çdo vit ka deklaruar 70-90 euro të ardhura në muaj; si dhe ka pasur 10 apartamente, 3 lokale, 2 zyra e 3 garazhde në Pogradec, të cilat thotë se i ka përfituar me këmbim sipërfaqe tokë, ku janë ndërtuar pallate, por pa deklaruar vlerat e tyre.

Ka deklaruar 2 apartamente nga 79.5 m2; 1 lokal 16.5 m2 e 1 garazh 16.5 m2, të cilat deklaron se i ka shitur 79 milionë lekë të vjetra, por nuk deklaron përdorimin e këtyre të ardhurave .

Ka 2 apartamente nga 75 m2; 1 apartament me sipërfaqe 55.4 m2 e 1 njësi tregtare me sipërfaqe 43 m2, për të cilat, deklaron se i ka shitur 108 milionë lekë të vjetra por nuk deklaron përdorimin e tyre, ndërsa për pasuritë e tjera nuk deklaron nëse i ka akoma apo jo.

Deklaron se ka përfituar apartamente me këto sipërfaqe: 61.8 m2; 96.7 m2; 103,3 m2 e 1 garazh 20 m2, por pa deklaruar vlerat e tyre dhe as nëse i ka akoma apo jo në pronësi.

Paralelisht, gruaja deklaron se ka shitur 3 apartamente me sipërfaqe 103.3 m2; 55.4 m2 e 61.8 m2, me vlerë totale 108 milionë lekë të vjetra; nga të cilat, 65 milionë lekë ia dha borxh të vëllait. 

Sipas të dhënave, gruaja e Fatmir Xhafajt, notere me të ardhura maksimale 90 Euro në muaj, rezulton se ka qarkulluar miliona lekë e mijëra Euro të copëzuara, jo nga burime përdorimi apartamentesh e lokalesh, por duke i quajtur “kursime e të ardhura të tjera” pa burim konkret.

Gruaja e Fatnir Xhafajt, deklaron se i kanë dhuruar 1 apartament me sipërfaqe 101 m2 në Tiranë, por nuk deklaron se cili ia ka dhuruar, madje as vlerën dhe as nëse e ka akoma apo jo në pronësi, ndërsa në vitin 2022 deklaron blerje makinë 37 mijë e 500 Euro me të ardhura nga kursimet.

Vajza Amantia Xhafaj, ka deklaruar 62 mijë e 688 Euro të ardhura vjetore, nga paga te një kompani me emrin “Mutares SE+CO.KgaA”, për të cilën nuk ka të dhëna konkrete; por deklaron se bashkë me burrin, ka hapur biznesin “Invest ALB&Konsulencë”, i cili rezulton me 467 mijë lekë humbje.

Vajza tjetër Aulona Xhafaj ka deklaruar, se në datën 24 nëntor 2022 ka marrë 394 milionë lekë borxh, nga të cilat ka shlyer 94 milionë lekë, por pa deklaruar se nga cili person apo subjekt privat i ka marrë dhe me çfarë të ardhurash e ka shlyer vlerën 94 milionë lekë brenda vitit.

Vajza Aulona Xhafaj, deklaron se ka blerë apartament 201 m2 me vlerë 376 milionë lekë e garazh  13.8 m2 me vlerë 18 milionë lekë, për të cilat thotë e i ka të ardhura nga kursimet e saj.

Më 31 dhjetor 2022, ajo deklaron edhe 43 mijë Euro, të ardhura nga burime që nuk i bën të ditura, ndërsa po më 31 dhjetor 2022, deklaron se prindërit i kanë dhuruar 10 mijë Euro.

Paralelisht, deklaron 11 mijë Euro të ardhura nga shitje pasurie, të cilën nuk e bën të ditur se çfarë pasurie është; si dhe ka qarkulluar afro 100 milionë lekë të tjera të copëzuara, të quajtura shpenzime personale, kur pagën mujore në “Intesa Sanpaolo Bank” e ka 2500 Euro.

Deklarimet pasurore të Fatmir Xhafajt, gruas e dy vajzave të tij, janë një skemë merimange, të cilën SPAK mund ta zbërthejë vetëm me hetues specialistë finance të Byrosë Kombëtare të Hetimit e ekspertë. /Pamfleti