Përmbyset skafi, po transportonte në breg modelen braziliane dhe shoqen e saj, 37-vjeçarja nuk dinte not

Një modele braziliane dhe shoqja e saj janë zhdukur në det pasi një skaf që i transportonte në breg nga një jaht luksoz u përmbys në brigjet e Sao Vicente të dielën. 

Policia konfirmonte se Aline Tamara Moreira, 37 vjeçe, dhe Beatriz Tavares da Silva Faria 27 vjeçe, ishin në barkë kur ndodhi aksidenti dhe se po kërkojnë dy vajzat e zhdukura. Disa minuta para tragjedisë Aline postonte në rrjet imazhe të vetes në jahtin e luksit, së bashku me mikeshat e saj.

Aline shihej veshur me blu duke shikuar nga kamera, bashkë me dy shoqe të saj. Gjithashtu vëllai i saj Anderson Carlos Moreira de Amorim, konfirmoi se Aline nuk di not.

Të mbijetuarit thanë se festa në jaht ishte në kulmin e saj kur disa vajza e djem vendosën të largoheshin, por barka që erdhi t’i merrte tragjikisht ishte përmbysur. 

Siç raportohet katër persona, dy vajza e dy djem u shpëtuan dhe iu dha ndihma. Ato kishin plagosje nga përplasja e barkës me shkëmbinjtë që erdhi si pasojë e detit të keq. Nilce Aparecida Silva, banore vendase dhe kushërirë të humburës Beatriz lutej në Facebook që vajza të gjendej e gjallë.

“Bia është kushërira dhe kumbara ime, ajo e adhuron detin dhe ne lutemi që të gjendet gjallë”, tha ajo. 

E mbijetuara Camila Alves, 20 vjeçe, dha në rrjetet sociale detaje të incidentit.

“Gjatë lundrimit një valë e madhe na përmbysi barkën. Kishim vetëm tre jelekë shpëtimi, i morëm ato dhe po luftonim për jetën. Asnjë nga vajzat nuk dinte not”, shtoi ajo. 

Ajo nxiste publikun të lutej që vajzat të gjenden shëndoshë e mirë. Zona e rrezikshme ku ndodhi aksidenti është pranë ishullit Porchat në Sao Vicente dhe tërheq surfistë prej valëve të mëdha të oqeanit, por fsheh rreziqe prej rrymave të forta që shfaqen periodikisht.