Edhe SPAK refuzon komisionin ‘Xhafaj’: Nuk e shohim të nevojshme pjesëmarrjen

Edhe SPAK ka vendosur që të refuzojë ftesën e Komisionit ‘Xhafaj’ në parlament. Në një përgjigje për gazetarin e SYRI TV, Fatjon Gjinaj, Prokuroria e Posaçme shprehet se, në mënyrë unanime prokurorët e kanë parë të panevojshëm pjesëmarrjen në këtë komision.

Një ditë më parë ishte Gjykata Kushtetuese që vendosi të mos marrë pjesë në këtë komision të ngritur nga Edi Rama për të kontrolluar institucionet që gjoja cilësohen si të pavarura.

Përgjigja e SPAK:

Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar ‘Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian’ (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision.

Të uroj ditë të mbarë!