Shpërthim në pronën e ish-kryetarit të Zubin-Potokut

Një shpërthim është raportuar se ka ndodhur të mërkurën para mesnatës në një ndërtesë të pabanuar në Zubin-Potok. 

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut Veton Elshani, ka thënë se dyshohet që nga shpërthimi është shkaktuar zjarr. 

Ai ka thënë se nuk ka të lënduar, ndërsa policia dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes.

“Ende nuk dihet se nga çka është shkaktuar shpërthimi por njësitet policore adekuate janë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Elshani.

Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ngjarjen e mbrëmshme e ka quajtur sulm ndërsa ka thënë se objekti ku shpërtheu zjarri është pronë e ish-kryetarit të komunës, Stevan Vuloviq. 

“Dënoj fuqishëm sulmin e mbrëmshëm ndaj pronës së ish kryetarit të komunës së Zubin Potokut dhe apeloj te organet e rendit që sulmuesit t’i kapin dhe t’i qesin para drejtësisë.... sulmet e ngjashme të cilat po ndodhin kundër jetës dhe pronave të qytetarëve janë të papranueshme dhe nuk do të na ndalin në punën dhe angazhimet tona për rehati dhe rend dhe ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Zeqiri në një përgjigje për KOHËN ka thënë se konsideron që sulmi ndaj Vuloviqit është bërë si pasojë e një takimi që ai e kishte zhvilluar me të. 

Zeqiri ditë më parë kishte postuar në Facebok një fotografi nga takimi me Vuloviqin. 

“Ishte kënaqësi e veçantë të pimë kafe dhe të bisedojmë për tema të interesit qytetar me ish-kryetarin e Komunës së Zubin-Potokut Stevan Vuloviq”, kishte shkruar Zeqiri.