CIA zgjeron rekrutimet online, kërkon informatorë në Kinë, Iran e në Korenë e Veriut

CIA nisi të mërkurën një përpjekje të re për të rekrutuar informatorë në Kinë, Iran dhe Korenë e Veriut, pas asaj që e ka cilësuar përpjekje të suksesshme për të rekrutuar shtetas rusë.

Agjencia kryesore amerikane e spiunazhit postoi udhëzime se si të kontaktohej në mënyrë të sigurt, në dialektin mandarin, në gjuhën farsi dhe atë koreane, në llogarinë e saj në mediat sociale në X, Facebook, Instagram, Telegram, LinkedIn dhe në Dark Web, njoftoi një zëdhënës i CIA-s nëpërmjet një deklarate.

“Përpjekjet tona në këtë front kanë qenë të suksesshme në Rusi dhe ne duam të sigurohemi që individët në regjimet e tjera autoritare, të dinë se ne jemi të hapur për të punuar”, tha zëdhënësi, duke shtuar se me këtë hap CIA po përshtatej me një rritje të shtypjes shtetërore dhe mbikëqyrjes në nivel global.

Në një video në dialektin mandarin postuar në YouTube, e cila përmban vetëm udhëzime të shkruara, agjencia këshillonte individët që ta kontaktojnë atë përmes faqes zyrtare të saj në internet duke përdorur rrjete virtuale të sigurta.

“Siguria dhe mirëqenia juaj janë përparësia jonë”, thuhej në video.

Në video thuhej se agjencia nuk jep garanci se do të përgjigjet dhe se përgjigja mund të marrë kohë.

Liu Pengyu, një zëdhënës i ambasadës kineze, akuzoi SHBA-në për kryerjen e një fushate dezinformimi “të organizuar dhe sistematik” kundër Kinës. Ai shtoi se “çdo përpjekje për të futur një pykë mes popullit kinez dhe Partisë Komuniste Kineze do të dështojë”.

Ambasada ruse dhe misioni i Iranit në OKB nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Etja e CIA-s për informacion zbulimi është rritur ndërsa Kina po zgjeron bashkëpunimin me Rusinë dhe Iranin dhe po tregon muskujt ushtarak në rajon.