Berisha: I tmerruar nga revolta, i lebetitur nga 7 tetori, njëlloj si Maduro, Rama përjashtoi 24 deputetë të parlamentit

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, që përmes Komisionit të Etikës së Kuvendit të Shqipërisë, ka përjashtuar 24 deputetë të PD nga parlamenti, nga 40 ditë deri në 60 ditë.

‘I tmerruar nga revolta, i lebetitur nga 7 tetori, njëlloj si Maduro, Rama përjashtoi 24 deputetë të parlamentit’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore, më të pakufishme. Mirënjohje ndaj jush guximtare dhe guximtarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, të cilët me fjalën e tyre frymëzojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, ndriçojnë me dritën e së vërtetës mendjet e tyre dhe shpërndajnë terrin e hipokrizisë, terrin e demagogjisë, terrin e propagandës vulgare që regjimi diktatorial i bazuar në lidhjet me krimin, me drogën me vjedhjen e shqiptarëve shpërndan në mediat e tij çdo minutë, çdo orë në Shqipëri dhe mendjet e shqiptarëve.

Miqtë e mi, beteja e pandalshme, beteja pa kthim ka filluar.

Sot narkoregjimi njëlloj sikur të ishte Maduro i Venezuelës, i tmerruar nga revolta e deputetëve, i lebetitur nga 7 tetori që po afron mori masa ndëshkimore dhe përjashtoi për herë të parë në historinë 32 vjeçare pluralizëm, përjashtoi 24 deputetë nga përlamenti, ndër të cilët përjashtoi kryetarin e grupit parlamentar pasi ka burgosur zv.kryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm të PD dhe 22 deputetë të tjerë.

Këta anëtarë të organizatës kriminale të Edi Ramës, këta bashkëpunëtorë në krim, në vjedhje dhe trafiqe me atë që panë me sytë e tyre në oborrin e parlamentit e kuptuan se kjo betejë është betejë për jetë ose vdekje, është betejë për triumfin e demokracisë, ligjit dhe Kushtetutës.

Ata e panë se shpresë për ta nuk ka më, se revolta popullore që po zien në të katërta anët e vendit do t’i fshijë dhe do t’i hedhë në koshin e plehrave të historisë, aty ku e kanë vendin si keqbërësit më të mëdhenj në historinë e kombit shqiptar.

Ata mendojnë se duke zbrazur parlamentin do shpëtojnë nga ndëshkimi popullor, po ata harrojnë se sot me guximin, trimërinë e parlamentarëve të opozitës, janë qindra e mijëra shqiptarë të gatshëm të ëvrsulen kundër tyre, të gatshëm t’ju shpërblejnë urrejtjen dhe hakmarrjen e tyre, të gatshëm t’ju rezervojnë fundin që meritojnë.