Geci: Arrestimi i padrejtë i Salianjit është dëshmi e frikës që ky regjim ka nga njerëzit e lirë

Marjan Geci, nga FRPD,  pjesëmarrës në tubimin e sotëm poshtë shtëpisë së liderit demokrat Sali Berisha, mbajti fjalën e tij.

Ai u shpreh se arrestimi i padrejtë i deputetit Ervin Salianji është një tjetër dëshmi e frikës, që regjimi ka ndaj njerëzve të lirë.

Pas 12 vitesh autokracie dhe 9 muajsh izolimi brenda 4 mureve të simbolit më të madh antikomunist të kombit shqiptar, Sali Berishës, ata menduan se ne u dorëzuam.

Por, shqiptari kaherë ka thënë se prej lufte veç ai largohet që është lindur tradhëtar! E pikërisht, kjo rezistencë e jona tregon se ne nuk jemi ata që ngrejnë duart lartë dhe i’a mbathin nga fushë-beteja e rezistencës.

Arrestimi i padrejtë i deputetit të ri dhe vizionar Ervin Saljani është një tjetër dëshmi e frikës që regjimi ka ndaj zërave të lirë. Ata mendojnë se mund të shuajnë rezistencën tonë duke ndëshkuar ata që luftojnë për drejtësi, por gabohen rëndë. Me këtë veprim, ata vetëm sa e kanë forcuar vendosmërinë tonë për të qëndruar kundër padrejtësive.p

Zgjedhjet e 2025 po afrojnë! Ne kemi treguar se jemi mjaftueshëm të guximshëm për të mos jetuar me frikën se, nëse votojmë sipas vullnetit tonë, do të mbetemi pa punë ditën pas zgjedhjeve.

Për të mos jetuar me frikën se, nëse votojmë sipas vullnetit tonë, familjet tona do të mbesin pa bukë ditën pas zgjedhjeve.

Për të mos jetuar me frikën se, nëse votojmë sipas ndjenjave tona të sinqerta, bizneset që kemi ndërtuar me djersë dhe sakrifica do të jenë në shënjestër të hakmarrjes së qeverisë ditën pas zgjedhjeve.

Për të mos jetuar me frikën se, nëse votojmë sipas vullnetit tonë, do të na vijnë gjobat të rreshtuara poshtë derës siç rreshtoheshin njerëzit gjatë komunizmit për të marrë qumësht e bukë.

Më 7 tetor, në orën 18:00, fillojmë protestën tonë. Kjo nuk është thjesht një protestë, është fillimi i një lëvizjeje kombëtare të mosbindjes civile. Me çdo hap drejt sheshit, ne do të dëshmojmë se Shqipëria i përket qytetarëve të saj, jo regjimit që kërkon ta mbajë në frikë.

Paradoksalisht, ata po duan të instalojnë frikën se, nëse votojmë sipas vullnetit tonë, nuk do të mund të jetojmë dinjitetshëm ditën tjetër. Po, a ka veprim më fisnik se të jesh i lirë të zgjedhësh për veten?

Kjo është frika që ata duan të ndjellin tek ne nga veriu në jug, qofshim katolikë apo myslimanë, të varfër apo të pasur, e fundja, qofshim demokratë apo socialist. Është frika që ata duan të përshkojë nën lëkurën e çdo njeriu në këtë vend, një frikë që ka për qëllim më të lartë paralizimin nga survejimi ndëshkues i veshëve dhe syve të qeverisë. Po po, do flas dhe për atë socialistin, se nën hijen e Zotit, jemi të gjithë shqiptarë!

Frikë është ajo që ata duan të ndiejë çdokush nga ne. Trimëri është ajo që po bëjmë të gjithë ne duke e thyer heshtjen. Miq, koha është e tradhtarëve, por atdheu i shqiptarëve.

Në 2025, shqiptarët do të dëshmojnë se atdheu i tyre nuk është i tradhtarëve, nuk është i Edi Ramës, e as i Erion Velisë…

Atdheu i tyre nuk është i tradhtarëve, nuk është i zonjave, që Zoti i bëftë zonja, Ballukut e as Spiropalit…

Baballarët themelues të kombit shqiptar, kur ngritën flamurin shqiptar, e ngritën për të mos e ulur atë më kurrë… ne nuk kemi për t’a lejuar që flamuri të zhytet në llumin e tyre.

Por e kujt duhet të jetë kjo Shqipëri?  

E atyre bijve dhe bijave që janë larguar, e njerëzve punëtorë dhe sakrifikues, e njerëzve të drejtë që kanë nderuar dhe mbrojtur këtë tokë.

Shqipëria është e atyre që e duan me zemër, që e mbajnë në mendjen e tyre dhe e përkëdhelin me çdo veprim të tyre. E atyre që, edhe kur janë larg, e ndiejnë çdo puls të saj dhe e mbajnë gjallë përmes përpjekjeve dhe ëndrrave të tyre.

Miq, në zgjedhjet e 2025, të bashkuar do i’a kthejmë Shqipërinë, shqiptarëve të vërtetë! Edhe kur institucionet nuk e duan drejtësinë, Zoti e do!