Një dokumentar për akuzat ndaj Diddy-t do të publikohet në Netflix

Këto akuzat pasojnë disa vite polemikash dhe denoncimesh ndaj yllit të hip-hop-it, i cili është akuzuar për abuzime fizike dhe seksuale ndaj grave

Netflix po prodhon një dokumentar nga Curtis “50 Cent” Jackson, në lidhje me akuzat për trafik seksual dhe shantazh, si dhe akuza për sulme seksuale dhe abuzime të dhunshme kundër Sean “Diddy” Combs. Alexandria Stapleton drejton projektin, i cili aktualisht është në prodhim.

“Kjo është një histori me ndikim të rëndësishëm njerëzor. Është një rrëfim kompleks që përfshin dekada, jo vetëm titujt apo klipet e parë deri më tani. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për t’i dhënë zë të pazërit dhe për të paraqitur perspektiva autentike dhe të nuancuara. Ndërsa akuzat janë shqetësuese, ne u bëjmë thirrje të gjithëve të kujtojnë se historia e Sean Combs nuk është historia e plotë e hip-hop-it dhe kulturës së tij. Ne synojmë të sigurojmë që veprimet individuale të mos lënë në hije kontributet më të gjera të kulturës”, thanë 50 Cent dhe Stapleton në një deklaratë ekskluzive për Variety.

Gjithashtu projekti vjen pas arrestimit të Combs në New York këtë muaj, ku ai u përball me akuza të shumta, përfshirë shantazh dhe trafik seksual. Këto akuzat pasojnë disa vite polemikash dhe denoncimesh ndaj yllit të hip-hop-it, i cili është akuzuar për abuzime fizike dhe seksuale ndaj grave. Ndërkohë Jackson dhe Stapleton deklaruan se dokumentari do të paraqesë një histori komplekse që përfshin dekada, duke synuar të ofrojnë perspektiva autentike dhe të nuancuara për jetën dhe karrierën e Combs.

Ata theksuan se, megjithëse akuzat janë të rëndësishme, historia e Sean Combs nuk përfaqëson tërësisht kulturën e hip-hop-it dhe ndikimin e tij. Combs, nga ana e tij, ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato një rrëmbim parash. Avokati i tij ka deklaruar se, ndonëse Combs nuk është një person i përsosur, ai nuk është kriminel.

Rivaliteti mes 50 Cent dhe P Diddy ka qenë i njohur për vite me radhë, dhe 50 Cent ka qenë kritik i hapur i Combs, veçanërisht pas ngritjes së akuzave për abuzim seksual. Ai kishte shpallur që më parë planet për realizimin e dokumentarit në rrjetet sociale. Arrestimi i Combs erdhi pas disa akuzave që datojnë rreth një vit, duke përfshirë dhe një bastisje të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në rezidencën e tij.

Ai akuzohet se ka krijuar një sipërmarrje kriminale që përfshin shantazhimin dhe detyrimin e grave për të përmbushur dëshirat e tij. Mes akuzave të tjera, Combs dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për trafik seksual, shpërndarje droge, zjarrvënie dhe rrëmbim, me shumë prej këtyre veprimeve që dyshohet se janë kryer në festa të paligjshme seksuale. 50 Cent, në një intervistë të mëparshme, e kishte theksuar se ishte i vetmi që fliste për këto çështje përpara se ato të bëheshin të njohura në media. Ai shprehu besimin se publiku tani e sheh të vërtetën pas këtyre akuzave.