Qeveria po dështon me qytetarët: Kriza e thellë ekonomike, shqiptarët drejtohen tek ‘gabi’

Shqipëria po zhytet në një krizë të thellë ekonomike, me qeverinë që vazhdon të dështojë në adresimin e nevojave themelore të qytetarëve. Rënia dramatike e konsumit, veçanërisht në sektorin e veshjeve, është bërë simbol i mjerimit ekonomik që po përjetojnë familjet shqiptare.

Të dhënat tregojnë një realitet alarmues:
Në 8-mujorin 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve shënuan rënie me 8.6%, ndërsa importet e veshjeve të përdorura u rritën me 4.7%. Konkretisht, importet e veshjeve të përdorura arritën në 2,47 miliardë lekë, nga 2,3 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndërkohë, importet e tekstileve dhe veshjeve të reja ranë në 56 miliardë lekë, nga 61,4 miliardë që ishin vitin e kaluar.

Këto shifra nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë realitetin e hidhur të shqiptarëve që nuk kanë më mundësi të blejnë veshje të reja. Inflacioni i lartë, i shkaktuar nga politikat e gabuara ekonomike të qeverisë dhe keqmenaxhimi i situatës pas luftës në Ukrainë, ka çuar në rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve bazë. Si pasojë, shumë familje janë detyruar të shkurtojnë drastikisht shpenzimet për veshje dhe këpucë.

Përballë kësaj situate të mjeruar, qytetarët po detyrohen të kthehen drejt alternativave më të lira, duke përfshirë blerjen e veshjeve të përdorura ose produkteve të falsifikuara. Rubrika “Qytetarët” e Iconstyle ka ekspozuar pafund raste të tilla në TikTok, Telegram dhe Instagram, duke nxjerrë në pah dështimin e qeverisë për të mbrojtur konsumatorët.

 

Në vend që të adresojë urgjentisht këtë problem, qeveria ka propozuar një projektligj “Për Markat Tregtare” që synon të ndalojë tregtimin e produkteve të falsifikuara. Megjithatë, ky projektligj ende nuk është miratuar, duke lënë qytetarët të pambrojtur ndaj mashtrimit dhe produkteve të cilësisë së ulët.

Më keq akoma, qeveria shpreh synimin për të mbyllur tregun e veshjeve të përdorura, të njohura si “gabi”, që kanë qenë një shpëtim për shumë familje në nevojë.
Kjo lëvizje e pamenduar mirë ngre pyetjen e madhe: Ku do të blejnë veshje shqiptarët e varfëruar?

A synon qeveria t’i detyrojë qytetarët të blejnë vetëm nga oligarkët dhe qendrat e mëdha tregtare, kur shumica e familjeve nuk arrijnë dot as të mbyllin muajin

Realiteti është i ashpër: qytetarëve nuk u del as për bukën e gojës, e jo më për veshje të shtrenjta. Kjo situatë e mjeruar po shtyn gjithnjë e më shumë shqiptarë drejt emigracionit, duke kërkuar kushte më të mira jetese jashtë vendit. Ndërkohë që qytetarët luftojnë për mbijetesë, qeveritarët vazhdojnë të pasurohen përmes korrupsionit dhe vjedhjes së parasë publike.

Është e papranueshme që në vend të zgjidhjes së problemeve reale ekonomike, qeveria po përpiqet të mbyllë ato pak alternativa të përballueshme që u kanë mbetur qytetarëve.

Projektligji i propozuar, në vend që të ndihmojë qytetarët dhe të bëjë bizneset më të ndershme, rrezikon të përkeqësojë situatën duke eliminuar opsionet e vetme të përballueshme për shumicën e popullsisë.

Shqipëria po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe sociale, të shkaktuar dhe të thelluar nga politikat e gabuara të qeverisë. Balancimi mes mbrojtjes së markave tregtare dhe sigurimit të veshjeve të përballueshme për popullsinë nuk duhet të jetë një dilemë në një shoqëri funksionale. Fatkeqësisht, qeveria aktuale po dështon në të dyja frontet, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit dhe duke i shtyrë drejt zgjedhjeve të vështira mes blerjes së ushqimit apo veshjeve bazike.

Është koha që qeveria të pranojë dështimin e saj dhe të ndërmarrë veprime urgjente për të ndihmuar vërtet qytetarët, në vend që të vazhdojë të mbrojë interesat e një pakice të privilegjuar në kurriz të shumicës së popullsisë!