'Planifikim familjar' për brejtësit: Nju Jorku planifikon t'u japë minjve kontraceptivë

Nju Jorku ka miratuar një program provë për të reduktuar popullatën e minjve të qytetit pa përdorur helm. Prej vitit të ardhshëm, kokrra kontraceptivësh do të vendosen në kontejnerë të posaçëm të aksesueshëm nga minjtë në lagje të ndryshme të qytetit.

Përkrahësit e kësaj qasjeje argumentojnë se kjo do të zvogëlojë në mënyrë njerëzore numrin e minjve pa rrezikuar kafshët e tjera ose mjedisin. Nëse gjithçka shkon sipas planit, minjtë do të hanë kontraceptivin, do të sterilizohen dhe në këtë mënyrë nuk do të riprodhohen.

Nisma është quajtur "Ligji i Flakos" sipas bufit me të njëjtin emër që u arratis nga një kopsht zoologjik të qytetit vitin e kaluar dhe i cili më vonë u gjet i  ngordhur, me helm miu në organizmin e tij, sipas mediave lokale.

"Nuk mund ta zgjidhim këtë problem me helm, nuk mund ta zgjidhim këtë problem duke vrarë," tha anëtari i këshillit bashkiak Shaun Abreu në prill kur prezantoi për herë të parë projektligjin.

Gjatë një programi pilot 12-mujor, inspektorët do të bëjnë kontrolle mujore për të parë se sa kokrra janë konsumuar nëpër lagje të ndryshme.

"Gjatë inspektimeve të tilla mujore të zonave të programit pilot, departamenti do të gjurmojë sasinë e kontraceptivëve të minjve në çdo shpërndarës kontraceptivësh miu", thuhet në dispozitat e projektligjit.

Senestech, kompania që prodhon produktin me bazë bimore të quajtur Contrapest, pretendon se çdo dozë parandalon minjtë të riprodhohen për 45 ditë, duke reduktuar popullatat në mënyrë njerëzore pa rrezikuar kafshët e tjera apo mjedisin.

Nju Jorku ka qenë prej kohësh i famshëm për problemin e tij të minjve. Rreth tre milionë brejtës jetojnë në Mollën e Madhe, sipas firmës MMPC për kontrollin e parazitëve, e cila e bazoi shifrën në një studim të vitit 2014 nga Jonathan Auerbach.

Njerëzit për Trajtimin Etik të Kafshëve (PETA) ka mirëpritur atë që e quajti një "qasje novatore" ndaj problemit, duke lavdëruar qytetin për" zgjedhjen e kontraceptivëve para metodave mizore, vdekjeprurëse si helmi dhe mbytja". / News Sky - Syri.net