Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet 48-vjeçari teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria

Policia ka vënë në pranga një 48-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje me armë zjarri.

Ky shtetas u kap në pikën kufitare të Morinës, teksa po tentonte të largohej nga policia.

Sipas bluve të Durrësit, 48-vjeçari dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, në rrugë, në lagjen nr. 8, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi F. Sh.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim.

Tentoi të dilte nga Shqipëria, nëpërmjet PKK Morinë, duke qenë në kërkim për një tentativë për vrasje me armë zjarri, kryer një vit më parë, vihet në pranga 48-vjeçari.

Si rezultat i verifikimeve, koordinimit të punës dhe të informacioneve, me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, për një shtetas të ndaluar në tentativë për të dalë nga Shqipëria, ndërkohë që ishte në kërkim si autor i dyshuar i një tentative për vrasje me armë zjarri, të kryer një vit më parë, në Durrës, Komisariati i Policisë Durrës vuri në pranga shtetasin F. K., 48 vjeç, banues në Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tantativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vitin 2023, dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, në rrugë, në lagjen nr. 8, shtetasi F. K. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi F. Sh.. Nga të shtënat nuk pat shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.