Deklarata: Bllokimi i faqeve të CNA, PD dënon çdo akt të padrejtë kundër medias dhe lirisë së fjalës në vend

Partia Demokratike ka dënuar sot, sulmet e orkestruara ndaj media CNA.al, që prej disa kohësh ndodhet nën censurë.

Në një deklaratë për mediat, koordinatorja për Departamentet në PD, Silvi Bardhi u shpreh se, ky është një akt i padenjë dhe i padrejtë kundër medias dhe lirisë së fjalës në vend.

Deklarata e Silvi Bardhit:

Partia Demokratike dënon çdo akt të padenjë dhe të padrejtë kundër medias dhe lirisë së fjalës në vend.

Siç kemi dënuar të gjitha rastet kur gazetarët janë kërcënuar, shtyrë apo dhunuar verbalisht, dënojmë edhe përdorimin e miqve të pushtetit, në Shqipëri apo jashtë, për të mbyllur platformat në rrjete sociale për media që i dalin kundër propagandës qeveritare, siç është rasti i CNA.

Përfshirja e këtij portali në hetimin e aferave të bashkisë së Tiranës, ka mjaftuar që të bien telefonat dhe të jepen porositë.

Prej disa ditësh faqet në Yotube, Instagram dhe Facebook janë bllokuar.

Praktikisht këtij portali i janë ndërprerë të gjitha lidhjet me lexuesit.

Janë zhdukur me qindra shkrime në rrjetet sociale për aferat korruptive të pushtetit të Rilindjes, vjedhjeve të Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

Në lidhje me këtë skandal ka reaguar Safe Journalists Albania, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Këshilli Shqiptar i Medias e cila e cilëson bllokimin e faqeve online të CNA, akt censure.

Organizata të tjetra kanë heshtur deri tani, sidomos ata që në mbrëmje punojnë te Karlo dhe ditën bëjnë si gazetarë europianë.

Siç thekson Këshilli i Medias “Bllokimi i faqeve të çfarëdo medie, qoftë në ëeb, qoftë në rrjete sociale mund dhe duhet të bëhet VETËM me një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare.

Bllokimi i aksesit, pa vendim gjykate, përveç rasteve të parashikuara me ligj, përbën një shkelje të pastër të lirisë së informimit e lirisë së shprehjes dhe cënim të fjalës së lirë.

Faleminderit.