Strehimi social: Si gënjeu Edi Rama dhe favorizoi me VKM ndërtuesit

Autor: Denis Tahiri

Bashkitë më të mëdha të Shqipërisë vazhdojnë të anashkalojnë ligjin 3% për strehimin social, duke lejuar ndërtuesit të paguajnë në para në vend që të ofrojnë hapësirën e kërkuar për banesa, dhe përcaktimin e këtyre hapësirave në zona të papreferuara. Ky boshllëk favorizon interesat private mbi nevojat publike, duke dobësuar transparencën në zhvillimin urban.Top of FormBottom of Form

Në nëntor të 2021, Investigative Network Albania, do të publikonte shkrimin me titull “Hilet me taksën 3% për strehim social, Durrësi ua fal ndërtuesve, Tirana e merr në lekë”. Në këtë shkrim do të provohej se si ligji, jo vetëm që nuk zbatohej nga një pjesë e madhe e bashkive në vend, por edhe ato pak që e zbatonin, e kishin modifikuar që ti përshtatej nevojave të tyre por edhe atyre të ndërtuesve.

Praktikisht, ligji detyronte operatorët e tregut të ndërtimit, që në momentin që ndërtonin më shumë se 2000 m2, të dhuronin 3% të sipërfaqes për banesa sociale. Por në 2021, ndërkohë që ligji kishte më shumë se 3 vite që kishte hyrë në fuqi dhe ishte ankimuar pa sukses në Gjykatën Kushtetuese, rezultonte se nuk ishte zbatuar nga asnjë bashki, përjashtuar bashkinë Tiranë, ose sipas ekspertëve ishte modifikuar në dëm të interest publik.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë e cila e zbatonte këtë ligj, e kishte modifikuar frymën e tij, përmes Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 105, datë 25.10.2019, ku në pikën 6 dhe 7 të tij kishte vendosur konvertimin e sipërfaqes në vlerë monetare.

“Në rast se sipërfaqja takuese në favor të Bashkisë Tiranë sipas parashikimeve të këtij vendimi, ofrohet nga zhvilluesi privat që të paguhet në vlerë leku, konvertimi i sipërfaqes përllogaritet duke shumëzuar sipërfaqen takuese me vlerën e referencës së banesave në zonën për të cilën ka aplikuar për leje ndërtimi, sipas përcaktimit të bërë me udhëzim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Vlera e përfituar shkon në buxhetin e Bashkisë Tiranë në programin e strehimit social”, – është detajuar në këtë vendim të Këshillit Bashkiak, Tiranë.

Për të justifikuar këtë vendim, në realcion rekomandohej një formulë tjetër për të konvertuar sipërfaqen në vlerë financiare, ndryshe nga formula e rekomanduar ligjore.

“Vlera llogaritet sipas listës së çmimeve të miratuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ose duke marrë kontratat e shitjeve të tre muajve të fundit, të depozituara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës”.

Varianti i miratuar ka hequr mundësinë e konvertimit, duke pasur si referencë kontratat e shitjes. Çmimi i ndërtimit në zonat më të kërkuara të Tiranës shkon deri në 4 mijë euro për metër katror, ndërsa çmimi i referencës, i vendosur nga Ministria e Financave në të njëjtat zona, është maksimumi 1 mijë euro për metër katror.

Në kushtet e anonimatit, ndertues të ndryshëm pranuan që u interesonte më shumë të paguanin në vlerë monetare 3%-in e sipërfaqes, ndërsa ekspertë që punonin në ministrinë e Financave u shprehën se në këtë rast fitojnë të gjitha palët, përveç interesit publik.

Çfarë kanë përfituar bashkitë më të mëdha në vend dy vitet e fundit nga ligji?

INA Media, për të parë se si ka ndryshuar zbatimi i këtij ligji gjatë dy viteve të fundit, ka kërkuar inormacion zyrtar nga katër bashkitë më të mëdha në vend, Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri.

Bashkia Tiranë, bën të ditur zyrtarisht se në vitin 2022 janë miratuar 77 leje ndërtimi me sipërfaqe ndërtimore mbi 2000 metra kartorë, duke shtuar se: “Kontributi i të cilave në sipërfaqe ndërtimore për fondin publik të banesave sociale të bashkisë Tiranë është 23 957.2 metra katrorë”.

Ndërkohë, për vitin 2023 janë miratuar 62 leje ndërtimi që janë subjekt i këtij ligji me një spiërfaqe ndërtimore për fondin publik të banesave sociale prej 16 853.1 metra katrorë.

Po ashtu, ky institucion bën të ditur përmes një kërkese për informacion të mëparshme se kontributi i subjekteve private në fondin social për vitin 2022 dhe 2023 është respektivisht  959,849,450 lekë dhe 893, 829, 905 lekë.

“Gjatë këtyre dy viteve janë lidhur akt-marrëveshje si në sipërfaqe ashtu edhe në vlerë monetare”, thotë Bashkia Tiranë.

Nga ana tjetër, bashkia e Durrësit bën të ditur se: “Shuma e mbledhur në buxhetin e bashkisë nga taksa 3% e ndërtuesve për strehimin social në territorin e Bashkisë Durrës për vitin 2022 dhe 2023 është 0 lekë. Bazuar në të Ligjin Nr. 22, datë 03.05.2018 “Për strehimin social”, është përfituar sipërfaqe ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale”.

Gjatë këtyre dy viteve kjo bashki ka përfituar sipërfaqe ndërtimi në total prej 632.63 m² nga 5 subjekte ndërtimi.

Bashkia Elbasan, për vitin 2022  ka përfituar vlerën prej 955 700 lekë, Kjo bashki bën të ditur se pritet të përfitojë edhe një sipërfaqen prej 166.91 metra katorë nga një prej subjekteve që po ndërton, si dhe sipërfaqe prej 175.5 dhe 429.69 metra katrorë nga dy subjekte të tjera.

Bashkia Fier, shprehet se: “Nga verifikimet e bëra gjatë viteve 2022- 2023, Bashkia Fier nuk ka miratuar leje me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 metra katrorë”.

Nga sipërfaqe në mundësi pagimi cash me ligj

Në 3 tetor të vitit 2023, në lidhje me këtë ligj, Kryeministri Rama do të shprehej se ndërtuesit duhet ta jepnin 3% aty ku ndërtonin.

“Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet.”, shprehej Kryeministri duke premtuar rishikimin e ligjit në këtë pikë.  

Dhe ndryshimet në ligj ndodhën, por jo ashtu si shprehej Kryeministri tetorin e shkuar. Një prej ndryshimeve prekte edhe nenin 19 të ligjit, i cili përcakton kontributin e sektorit privat për krijimin e fondit publik për banesat. Ndryshmet vendosën se rregullat e zbatimit të këtij kontributi do të përcaktoheshin me vendim të këshillit të ministrave.

Dhe VKM u miratua me një vonesë prej 7 muaj pasi Kreu i Qeverise u zotua se 3%-i duhet të jepej në vendin ku ndërtohej, duke ligjëruar dhënien e hapesirën jo vetëm në një hapësirë tjetër ndërtimi por edhe në vlerë monetare të ndryshme nga ajo në të cilën ndërtuesit po ndërtonin dhe shisnin publikut. Por si në dhënien e sipërfaqes në një hapësirë tjetër apo në shumë monetare, fjala kyçe është “çmimi referues” i pasurisë së paluajtshme për të cilën është dhënë leja e ndërtimit.

VKM vetë është thuajse një kopje e Vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë të 2019, gjë që ka legjitimuar veprimet e këtij institucioni lokal, por tashmë në rang vendi.

Pra për ta bërë më të thjeshtë, nëse një ndërtues ndërton më shumë se 2000 metra katrorë sipërfaqe banimi në qendër të kryeqytetit, ku çmimi referues shtetëror është 1000 euro dhe 3%-i për strehimin social do ta vërë në dispozicion në një zonë tjetër të kryeqytetit, ku çmimi i referencës është 500 euro për metër katror, atërherë sipërfaqja e dhënë do të jetë sipërfaqja që blihet me vlerën monetare të 3% të godinës që ndërtohet në qendër të kryeqytetit.

Nga ana tjetër, nëse dëshiron të paguajë në vlerë monetare detyrimin e 3%-it, sërisht e paguan me çmimin e referencës shtetërore për sipërfaqen përkatëse. Por ajo që bie në sy është fakti që në qendër të Tiranës, është e pamundur të gjesh një hapësirë banimi me çmim prej 1000 euro metri katror, pasi në çmimin e tregut vlera është 3000 deri në 4000 mijë euro. Në të dyja rastet, subjekti ndërtues ka më shumë benifite ta japi hapësirë në një ndërtesë tjetër ose ta paguajë atë në vlerë monetare.

Përtej kësaj, ekspertë thonë për INA Media se lehtësimi për operatorët ndërtues për të përcaktuar ndërtesat në të cilat do të vihet në dispozicion të bashkisë respektive hapësira për strehim social, rrit riskun që zona periferike të kthehen në zona në të cilat “dëbohen” shtresat në nevojë, si dhe krijimi i zonave të diferencuara në cilësi jetese, shërbime apo edhe mungesë mobiliteti social për këto shtresa.

Ndryshe nga sa deklaronte Kryeministri tetorin e shkuar, qeveria jo vetëm që legjitimoi me VKM dhënien e sipërfaqes diku tjetër, por u legjitimua edhe konvertimi i sipërfaqes në shumë monetare, praktikë kjo e ndjekur prej vitesh nga Bashkia Tiranë./INA-media